Sport

Dritën e pret udhëtim i vështirë në Mitrovicë

Te Trepça ’89 kanë insistuar se janë të gatshëm për edicionin 2022/23 në Superligën e Kosovës në futboll, pas një edicioni në Ligën e Parë. 89-shi është kthyer në elitë si kampion i Grupit A në kategorinë e dytë, ndërsa ndeshjen e parë në edicionin e ri do ta luajë ndaj nënkampiones, Dritës.

Trepça ’89 e pret në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës skuadrën e Dritës, të shtunën prej orës 17:00. Në start të edicionit të ri, ekipi mitrovicas po kërkon rezultat pozitiv për të paralajmëruar rikthim të fuqishëm. Kështu ka insistuar kapiteni Ardian Muja. Sipas tij, Trepça ’89 është e vendosur që sezonin e ri ta fillojë me këmbë të mbarë. Ai ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë ndaj Dritës që ka një ekip të fortë.

Drita garën e ka nisur muajin e shkuar, me pjesëmarrje në kupa evropiane. U eliminua në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Antwerpi i Belgjikës.

“Jemi përgatitur maksimalisht jo vetëm për fillimin e sezonit, por edhe për ndeshjen kundër Dritës. Është e rëndësishme t’i marrim ndeshjet me rend, por të kemi një start pozitiv. Dritën e respektojmë si çdo kundërshtar tjetër këtë edicion, por ne i kemi synimet tona. Presim rezultat pozitiv dhe fillim të mbarë në këtë kampionat”, është shprehur Muja.

Edhe te Drita kanë të njëjtin synim – të kenë një fillim të mbarë të sezonit të ri. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka vlerësuar lart Trepçën ’89, por ka paralajmëruar se ekipi i tij udhëton në Mitrovicë për ta fituar ndeshjen. Sipas tij, fitorja do të thotë nismë e mbarë.

“Na pret një skuadër që gjithmonë meriton të jetë në Superligë, sepse ka dëshmuar gjithmonë cilësi. Mitrovicasit kanë ruajtur grupin dhe jo rastësisht janë rikthyer, por mendoj se skuadra jonë është gati dhe është e rëndësishme që të japim maksimumin të gjithë që të nisim kampionatin mbarë”, ka thënë trajneri Nuhiu, që ka pranuar se Drita në sezonin e ri futet me objektiva të qarta, të luftojë për titullin e kampionit.

“Objektivat do të jenë ndeshje për ndeshje, duke fituar çdonjërën apo duke mos humbur asnjërën. Nuk diskutohet që me një skuadër si kjo e jona, me aq shumë potencial, me futbollistë cilësorë, gjithmonë janë objektivat madhore. Evropa nuk duhet të diskutohet dhe gjithmonë të jemi rivalizues për ta fituar titullin. Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse në garë nuk do të jemi vetëm, por do ta lëmë që në fund të bëjmë numërimin dhe të shohim se çfarë do të na sjellë kampionati gjatë rrugës”.

Të shtunën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera të xhiros së parë. Ndeshje interesante do të jetë edhe në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku skuadra e Dukagjinit e pret Prishtinën e trajnerit Ismet Munishi. Ndërsa, skuadra tjetër e rikthyer në Superligë, Ferizaj, që doli kampion i Grupit B, do të jetë mysafir i Gjilanit.

“Në takimin e nesërm futemi me optimizëm të madh. Synimet e Prishtinës janë gjithmonë shumë të qarta, edhe në këtë takim shkojmë për fitore. Nuk kemi mungesa dhe të gjithë lojtarët janë në dispozicion”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi.

Të dielën luhet vetëm një ndeshje, për shkak se dueli mes Malishevës e Ballkanit është shtyrë. Kampioni i Kosovës, Ballkani, po paraqitet në garat evropiane. Të dielën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj luhet ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Llapit.

Superliga – I

E shtunë (17:00)

Trepça ’89 – Drita

Dukagjini – Prishtina

Gjilani – Ferizaj

E diel (17:00)

Drenica – Llapi

Malisheva – Ballkani (u shty)