Portieri kosovar Faton Maloku të mërkurën është prezantuar si përforcimi më i ri i skuadrës së Dritës për edicionin 2019/20.
Ekipi gjilanas ka bërë të ditur se Maloku, që së fundi ishte pjesë e Kukësit në Shqipëri, ka firmosur kontratë njëvjeçare.
Ai në Kosovë karrierë ka bërë edhe te Feronikeli, Hajvalia e Gjilani.
28-vjeçari është portieri i dytë që Drita e ka transferuar gjatë kësaj vere, pasi më herët në radhët e veta ka marrë edhe maqedonasin Darko Tofiloski.
Pos portierëve, Drita ka transferuar edhe futbollistët si Bunjamin Shabani, Gilberto Fortunato, Donat Hasanaj, Izair Emini, Drilon Islami, Hamdi Namani e Ilir Blakçori.
Gjithashtu, Drita të mërkurën ka udhëtuar drejt Banskos në Bullgari, ku do ta kryejë fazën e dytë përgatitore për edicionin e ri.
Klubi gjilanas ka njoftuar se në Bullgari do të qëndrojë dhjetë ditë dhe gjatë kësaj periudhe do t'i zhvillojë edhe tri ndeshje kontrolluese.