Kampionia në fuqi, Drita ka mbetur pa sulmuesin kryesor për pjesën e mbetur të këtij sezoni në Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi nga Gjilani ka njoftuar të martën se Rexha për shkak të lëndimit të gjurit e ka mbyllur sezonin para kohe.
Madje, Rexha të premten do t’i nënshtrohet operimit.
“Përfundon sezoni për sulmuesin tonë Kastriot Rexha. Një lajm aspak i mirë për klubin dhe për sulmuesin tonë Kastriot Rexha, i cili duhet ta mbyll sezonin para kohe. Rexha që nga muaji shkurt kishte shqetesime në gjurit majtë dhe pas shumë përpjekjeve nuk ka arritur që të ndihmojë ekipin deri në përfundim të sezonit”, ka shkruar Drita.
“Pas kontrolleve të fundit, rezultatet tregojnë që Rexha të premten duhet ti nënshtrohet operimit për ta kaluar shqetësimin dhe praktikisht ky sezon është mbyllur për të”.
Te Drita kanë pranuar se mungesa e Rexhës do të jetë e madhe dhe do të ndihet sidomos në pjesën më të rëndësishme të sezonit, ku ekipi po lufton për ta mbrojtur titullin e kampionit. Rexha këtë edicion ka shënuar tetë gola dhe ka bërë dy asistime në 23 paraqitje në të gjitha garat.