Borussia Dortmundi i ka caktuar çmimin mesfushorit anglez Jadon Sancho, i cili mund të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit pas interesimit të Chelseat, Manchester Cityt e Manchester Unitedit.
Gazeta gjermane “Bild” ka raportuar të mërkurën se Dortmundi po kërkon 115 milionë euro dëmshpërblim për ta lënë të lirë Sanchon që të largohet muajin e ardhshëm, transmeton Koha Ditore.
Sancho vlerësohet ndër mesfushorët më të mirë në Bundesligë dhe shihet si përforcim i madh për repartin e mesfushës te Chelsea, City dhe Manchester Unitedi.
Mesfushori 19-vjeçar, këtë edicion ka shënuar 12 gola dhe ka asistuar 13 herë në 24 ndeshje për Dortmundin në të gjitha garat.
Ai ka kontratë me Dortmundin deri në vitin 2022 kurse ekipit gjerman i është bashkuar para dy vjetësh nga të rinjtë e Cityt për 7.8 milionë euro.
Sancho ka edhe 11 paraqitje e dy gola të realizuara me Anglinë.