Lindon Selahi të hënën e ka vazhduar kontratën me klubin kroat të futbollit, Rijeka.
Selahi, që ka disa paraqitje për Shqipërinë, kishte kontratë me Rijekën vetëm deri në verë. Drejtuesit e klubit për kohë të gjatë i kanë bërë presion tek ai që ta vazhdojë kontratën. Madje Selahi ishte larguar edhe nga skuadra e parë pasi refuzonte të vazhdonte kontratën. Për futbollistin shqiptar ishin të interesuara skuadra të ndryshme, por Rijeka ka insistuar që ta mbajë. Dhe ia doli.
Selahi e ka vazhduar kontratën për një vit e gjysmë.
“Jam shumë i lumtur që tregimi ka përfunduar dhe çdo gjë u përmbyll me vazhdimin e kontratës me Rijekën. Kam dashur dhe dua ta ndihmojë ekipin në vazhdim të kampionatit. Zgjedhja ime ishte gjithnjë që të mbetem te Rijeka dhe më vjen mirë që jemi pajtuar për të gjitha dhe që mund të koncentrohem në terren. Kjo është më e rëndësishmja për mua dhe për ekipin”, ka thënë Selahi.
Ai është te Rijeka prej verës së vitit 2021. Deri më tani i ka 91 paraqitje.
“Jam afër paraqitjes së 100-të për Rijekën, pra kam luajtur shumë ndeshje. Jam i lumtur për këtë numër të ndeshjeve dhe në klub ndihem si në shtëpi. Ka pasur ndeshje të mira e te këqija, rezutlate të mira e të këqija, por do të kujtoj vetëm gjërat e mira. Jam i kënaqur, por dua më shumë. Tregimi vazhdon derisa ta mbaj veshur këtë fanellë. Na pret punë e madhe dhe duhet të bëjmë çdo gjë për të kënaqur tifozët”, ka shtuar Selahi.
Edhe
Selahi i bashkohet Widzew Lodzit
Për Selahin interesim kishin shfaqur Hajduku i Splitit, Dinamo, skuadra belge Standard dhe skuadra nga vende të tjera.
24-vjeçari luan në mesfushë, ndërsa ka katër paraqitje për Shqipërinë. Është rritur në Belgjikë, ndërsa ka luajtur edhe në Holandë.
Rijeka është në garë për titull të kampionit në Kroaci me Hajdukun e Splitit dhe Dinamon e Zagrebit.