Toni Domgjoni ka nisur t’i ketë minutat e parë te skuadra e re, Vitesse në Holandë. Situatën gjithnjë e më të mirë te Vitesse, Domgjoni dëshiron ta shfrytëzojë që të ketë minuta edhe te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, të cilës iu bashkua në tetor të vitit të kaluar.
Planet e tij me klubin holandez më në fund po marrin formën e duhur.
Vitesse ka në ekip lojtarë profesionistë nga vende të ndryshme. Vijnë nga Randstadi, Limburgu e Betuwe të Holandës. Ka edhe nga Liege e Belgjikës, Vjena e Austrisë, Odense e Danimarkës e Kristiansandi i Norvegjisë. Edhe Toni Domgjoni është njëri prej tyre, me prejardhje nga Kosova, por që u lind në Kroaci për shkak se familja e tij ishte larguar nga Kosova pas shpërthimit të luftës.
Kohë të gjatë ka kaluar në Zvicër para se jeta e tij të merrte tjetër drejtim, për në Holandë. Pavarësisht se ka pasur mundësi ta zgjedhë edhe Shqipërinë, Domgjoni kishte vendosur që t’i bashkohej Kosovës.
“E kam zgjedhur Kosovën dhe e kam bërë zgjidhjen e duhur. Kam luajtur për të rinjtë e Zvicrës. Tani jam te Kosova, një shtet i vogël por me ambicie të mëdha”, ka thënë Domgjoni 23-vjeçar, për sajtin holandez “gelderlander.nl”.
Edhe
Domgjoni vazhdon me fitore në Holandë
Ai nuk fsheh ëndrrat dhe synimet e mëdha që i ka me “Dardanët”.
“Kampionati Evropian është synimi. E pse të mos jetë kjo e mundur? Gjithçka ka të bëj me besimin, bindjen dhe durimin”.
Për Domgjonin, Vitesse mund të jetë trampolinë drejt suksesit. Pas viteve të suksesshme të kaluara te Zuerichu në Zvicër, aventurën po e vazhdon në Holandë. Pas disa muajsh pritjeje më në fund ai po del nga hija. Paraqitje të shkëlqyer pati kundër Feyenoordit në stadiumin “De Kuip”, ku skuadra e tij fitoi 1:0. Aty edhe ishte pikënisja e madhe e pjesës së dytë të edicionit.
Domgjoni ishte titullar edhe në humbjen në shtëpi 3:1 nga Groningeni të shtunën. Por një karton i kuq i Lois Opendas në minutën e 35-të, ua prishi planin vendësve. Për arsye taktike, Domgjoni u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë bashkë me dy lojtarë tjerë.
“Natyrisht se dua të luajë më shumë tani. Jam trajtuar shumë mirë këtu. Ndryshimi i ambientit ishte i vështirë sa i përket aspektit emocional e kulturor. Por ‘Eredivisie’ është hap më i madh se liga e Zvicrës. Të duhet punë shumë e madhe për ta pasur rastin. Kështu edhe për mua pjesa e parë e kampionatit nuk ishte e lehtë. Por, unë kam qenë i qetë. Në stërvitje kam dhënë më të mirën. Ajo gjë tani po më shpaguhet”, është shprehur Domgjoni.
Besimi, bindja dhe këmbëngulësia janë karakteristikat të cilat të ndihmojnë mesfushorin për të qenë pjesë e Vitesses. Domgjoni për të gjitha është i vetëdijshëm.
“Gjithmonë e kam ditur në mendjen time se shansi do të më vijë. Për të qenë sportist i madh duhet të jesh i fortë edhe mendërisht. Jam ambicioz. Motivimi nuk është problem për mua. Dihet se të qëndrosh në bankën e rezervistëve shkakton pakënaqësi te çdo futbollist. Megjithatë, unë jam munduar të shikoj vetëm para e të punoj. Pas gjithë asaj kohe ku unë luaja shumë pak, erdha te ndeshja në Feyenoord. Edhe ekipi ishte shumë i mirë në atë ballafaqim”, përfundoi Domgjoni.
Domgjoni ka luajtur 492 minuta në dhjetë ndeshje sa është paraqitur në të gjitha garat. Por shpreson që të vazhdojë me më shumë hapësirë e të ketë edhe më shumë suksese.
Edhe
Toni Domgjoni: Jam i lumtur që bashkohem me Kosovën
Domgjoni është zhvilluar në sistemin zviceran të futbollit ku i ka kaluar të gjitha grupmoshat dhe pritet të jetë e ardhme e ndritur për mesfushën e Kosovës.
Me Zvicrën U21 ka luajtur në 18 ndeshje dhe ka qenë titullar në tri ndeshje të Evropianit U21 kundër Anglisë, Kroacisë e Portugalisë.