Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Domgjoni firmos me Vitessen

Futbollisti kosovar Toni Domgjoni ka marrë vendimin për të ardhmen e tij. Të martën mbrëma Domgjoni ka firmosur për tri vjet me skuadrën e njohur holandeze, Vitesse. Kjo është bërë e ditur në sajtin zyrtar të Vitesses. Në kontratë është paraparë opsioni për vazhdim të bashkëpunimit edhe për një vit tjetër. 22-vjeçari me pasaportë të Zvicrës ka firmosur të martën në ambientet e qendrës stërvitore të Vitesses.

Mesfushori qëndror deri më tani ka luajtur për Zuerichun, ndërsa te Vitesse ka kaluar si lojtar i lirë. Ai i ka 18 ndeshje për U21 të Zvicrës dhe është vlerësuar prej lojtarëve me potencial të madh te helvetikës. Domgjoni është rritur te Zuerichu dhe ka kaluar në ekipin e parë në edicionin 2017/18. Në katër edicionet e kaluara ka luajtur në total 105 ndeshje kampionale dhe nëntë për kupë.

“Toni është mesfushor qëndror i talentuar që mund të përparojë ende dhe që mund të paraqitet në disa pozita. Përkundër moshës relativisht të re, ai ka tashmë shumë përvojë, duke përfshirë në Ligën e Evropës. Ne jemi të bindur se ai do të shtoj cilësi në ekipin tonë. Ne rrjedhimisht jemi shumë të lumtur që Toni ka zgjedhur Vitessen”, ka thën drejtori sportiv i klubit holandez, Johannes Spors. “Pas katër edicioneve dhe më shumë se 120 ndeshjeve te Zuerichu, kam menduar se është koha për hapin e ardhshëm. Pas bisedave me Vitessen, menjëherë kam pasur ndjenjë të mirë. Shikoj para për të luajtur në Evropë me klubin dhe të paraqitem mirë në të gjitha garat”, ka thënë Domgjoni. Ai është përforcimi i dytë i skuadrës së Vitesses për edicionin e ardhshëm. Vitesse përfundoi e katërta në kampionatin e kaluar holandez.

Artikuj të ngjashëm