Sport

Toni Domgjoni: Jam i lumtur që bashkohem me Kosovën

Toni Domgjoni është emër i ri në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Ai të premten është përfshirë në listën e futbollistëve të ftuar nga selektori Bernard Challandes për ndeshjet e tetorit me Suedinë dhe me Gjeorgjinë. Mesfushori Domgjoni nuk e ka ende të drejtën e paraqitjes për Kosovën. Sipas FFK-së, “Toni Domgjoni është në pritje të kompletimit të lejes nga FIFA për ta ndërruar kombëtaren dhe për të luajtur për Kosovën”.

23-vjeçari të hënën do të jetë në Prishtinë. E mori lejen apo jo me kohë, ai do të bashkohet me “Dardanët” në stërvitje. Dhe për këtë është shumë i lumtur.

“Vetë kam vendosur që të luaj për Kosovën. U kam treguar prindërve se kam vendosur të luaj për Kosovën. Janë ndier shumë mirë. Më kanë thënë që të luaj aty ku unë ndihem më së miri”, ka thënë Domgjoni të premten për KOHËN, pasi Challandes shpalli listën.

Kontakti i tij me përfaqësuesen e Kosovës ishte më i hershëm. Por gjatë gushtit mesfushori ka folur me selektorin Challandes dhe ia ka bërë të ditur vendimin. Ai thotë se të gjitha procedurat janë kryer dhe se pret të marrë lejen e FIFA-s. Pret po ashtu të pajiset me pasaportë të Kosovës shumë shpejt, me kohë për ndeshje.

“Jam i kënaqur që do të jem pjesë e Kosovës. Jam i lumtur dhe premtoj se do të jap maksimumin për Kosovën. Natyrisht se i kam përcjellë ndeshjet e Kosovës. Me Spanjën ndeshja ka mundur të shkojë më ndryshe, paraqitja ishte e mirë”, ka shtuar Domgjoni.

Rrugëtimi i tij në karrierë është goxha interesant. I lindur në Kroaci, futbollisti ka luajtur në moshë të re te skuadrat kroate, Slaven Belupo e Koprivnica. Prej vitit 2009 u zhvillua te Zuerichu, pasi filloi jetën në Zvicër. Te Zuerichu depërtoi në nivelin senior dhe i luajti mbi 100 ndeshje kampionale. Në verë u transferua te Vitesse në Holandë. Te Vitesse nuk po luan shumë, por potenciali i tij nuk vihet në dyshim.

Toni Domgjoni ka prejardhje nga Gjakova, por prindërit e tij herët ishin vendosur në Kroaci. Kur ai ishte 11-vjeçar, familja Domgjoni u vendos në Zvicër dhe lojtari u bashkua me Zuerichun, ku i kaloi të gjitha grupmoshat.

Që në vitin 2018 ai kishte treguar për “Kohën Ditore” për një takim që e kishte me selektorin Challandes. Por atëbotë Domgjoni nuk kishte vendim se për kë do të luante në nivel senior.

“Jam takuar me përzgjedhësin e Kosovës, Bernard Challandes, dhe kam pasur bisedë të gjatë me të. Më ka thënë që të mos ngutem për të marr vendimin se cilën përfaqësuese do ta zgjedh. Unë jam ende i ri dhe kam kohë për të vendosur. Nuk kam vendosur ende. Nuk dua t’i krijoj vetes stres duke provuar të marr një vendim të shpejtë. Po mendoj, po konsultohem me familjen dhe të shohim. Challandes më ka thënë se pasi të marr vendimin ta njoftoj atë. Kështu ka mbetur. Unë e kam numrin e tij dhe pasi të vendos, do ta njoftoj”, kishte thënë Domgjoni për “Kohën Ditore” më 1 nëntor të vitit 2018.

Gati tre vjet më vonë ai zyrtarisht është bërë pjesë e “Dardanëve”. Deri më herët këtë vit ka luajtur për Shpresat e Zvicrës. Madje startoi në tri ndeshje të Evropianit U21 të mbajtur këtë vit, me Anglinë, Kroacinë e Portugalinë.

Për Zvicrën U21 i ka luajtur 18 ndeshje. Një ndeshje e ka për Zvicrën U20. Pesë herë ka luajtur për Zvicrën U19 dhe dy herë për Zvicrën U18. Pra është zhvilluar në sistemin zviceran të futbollit dhe pritet të jetë përforcim i madh për mesfushën e Kosovës, me gjithë telashet aktuale me aktivizim.

“Njoh shumë lojtarë të Kosovës. Me Fidan Alitin kemi luajtur te Zuerichu, po ashtu me Mirlind Kryeziun. Po ashtu me Aro Muriqin, kur ai ishte në Zvicër në moshë më të re. I njoh edhe të tjerët. Natyrisht pasi të vijë të hënën, do të njoftohem me të gjithë. Mezi po pres”, ka theksuar Domgjoni.

Pjesë e Kosovës është edhe David Domgjoni i Luzernit.

“Shumë më kanë pyetur nëse kam lidhje familjare me David Domgjonin. Vërtet nuk e di, më duket se jemi kushërinj. Por të gjithë lojtarët jemi diçka mes vete, jemi vëllezër”, ka theksuar Domgjoni, që lehtë mund të shndërrohet në lider të ri të mesfushës kosovare.

Te Vitesse futbollisti i ri i Kosovës është në kërkim të hapësirës. Ka luajtur në dy ndeshje kampionale dhe në pesë të tjera ishte në stol. Ka edhe një paraqitje në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

“Është fillimi dhe ende duhet të përshtatem me ekipin. Pres të luaj më shumë. Por me rëndësi është ta kem shëndetin”, thotë Domgjoni.