Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Domgjoni arrin si 22-vjeçar shifrën jubilare të ndeshjeve me Zuerichun

Ende 22-vjeçar, Toni Domgjoni ka arritur shifër jubilare të ndeshjeve për Zuerichun, skuadrën e famshme zvicerane. Ai në fakt në fundjavë e luajti ndeshjen e 100-të për ekipin senior të Zuerichut, ndërsa të mërkurën e luajti edhe ndeshjen e 101-të.

Të mërkurën ishte startues te Zuerichu, që barazoi pa gola me Luzernin, në kuadër të xhiros së 12-të. Te Zuerichu startoi edhe Fidan Aliti, kurse munguan Benjamin Kololli e Hekuran Kryeziu të lënduar dhe Mirlind Kryeziu që nuk po grumbullohet.

Në ndeshjen jubilare, të 100-të, Domgjoni bëri asistim vendimtar. Zuerichu, të dielën, kishte fituar 1:0 në udhëtim ndaj Luganos, ndërsa Blazh Kramer realizoi me asistim të Domgjonit. Ai ka 85 ndeshje në Superligën e Zvicrës, shtatë në Ligën e Evropës dhe nëntë të tjera për Kupë të Zvicrës. Domgjoni te Zuerichu është prej vitit 2009. Ka luajtur edhe me ekipin U-21 në nivel senior, por ka edhe shumë ndeshje me grupmosha.

Shifrat e tij po përmirësohen shpejt, ndërsa kjo i ka rënë në sy edhe faqes zyrtare të ligës helvetike. Në katër ndeshjet e para të së mërkurës ai kishte dy gola e dy asistime. Në të kaluarën më së shumti kishte kontribuuar në katër gola. Kjo i kishte ndodhur në edicionin 2018/19. Tani këtë rekord e ka barazuar pas vetëm 12 xhirove dhe gjëra të mëdha priten prej Domgjonit në vazhdim të kampionatit.

Ai ka realizuar dy gola të bukur, ndërsa shfaqi cilësitë teknike edhe me asistime. Zuerichu llogarit shumë në të e po ashtu edhe përfaqësuesja U-21 e Zvicrës. Ai luan rregullisht për U-21 të Zvicrës. Pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë në Evropianin që mbahet në mars të vitit të ardhshëm.

“Kush mund ta ndalë këtë fluturim të Domgjonit?”, ka pyetur faqja zyrtare e ligës zvicerane.