Mesfushori Bledian Krasniqi nuk ka pasur hapësirë të madhe në stinorin vjeshtor te Zuerichu, por në pranverë ai është i bindur se do të ketë më shumë minuta dhe se do ta ndihmojë ekipin të luftojë për titullin e kampionit të Zvicrës. Krasniqi 22-vjeçar është produkt i akademisë së Zuerichut dhe aktualisht po përgatitet në Spanjë me pjesën tjetër të ekipit për rifillimin e edicionit që starton vikendin tjetër.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, Krasniqi ka folur për synimet e tij personale që i ka në stinorin pranveror. Në fakt, ai ia ka bërë me dije trajnerit Bo Henriksen se pret minutazhë dukshëm më të madhe sesa vitin e shkuar.
“Përfundimisht, dua të kem më shumë minuta sesa në pjesën e parë të edicionit dhe po ashtu shpresoj të shënoj ndonjë gol për ta ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave”, ka thënë Krasniqi.
Deri më tani, këtë edicion, Krasniqi ka qenë titullar në vetëm tri ndeshje të Superligës së Zvicrës. Në total, ka 335 minuta lojë në kampionat, ku ka shënuar edhe dy gola. Në pjesën e parë të këtij edicioni, Krasniqi ka 15 ndeshje të luajtura për Zuerichun në të gjitha garat. Në elitë ka 12 paraqitje.
“Kam synime më të mëdha kur të rifilloj edicioni dhe jam i gatshëm për ta dëshmuar veten se mund ta ndihmoj ekipin. Nuk jemi larg nga kreu i tabelës dhe sigurisht që nuk do të dorëzohemi deri në fund”.
Pas 18 ndeshjeve të zhvilluara në kampionat, Zuerichu ka tetë fitore, shtatë barazime dhe tri humbje. Zë vendin e tretë në tabelë me 31 pikë, shtatë më pak se Young Boysi që është lider. Ndërkohë, në vendin e dytë gjendet skuadra e St. Gallenit me 33 pikë të mbledhura. Ai ka thënë se në kampin stërvitor në Spanjë po përgatiten mirë dhe se trajneri po aplikon sisteme të ndryshme të lojës.
“Kemi provuar shumë gjëra të reja. Kështu që, në pjesën e dytë, ne do të jemi më të paparashikueshëm dhe më të përshtatshëm në sistemet e ndryshme të trajnerit. Kjo do të jetë një ndihmë e madhe për ne pasi do ta ndryshojmë sistemin gjatë lojës”, është shprehur Krasniqi.
Edhe
Krasniqi asiston por Zurichu mposhtet
Sipas Krasniqit, Zuerichu në pjesën e dytë do të jetë ekip dukshëm më i fortë dhe ambiciet për ta synuar kreun do t’i tregojë prej ndeshjes së parë. Ndeshjen e parë kampionale këtë vit, Zuerichu e luan kundër skuadrës së Baselit.
“Ne duam të çimentohemi në krye të tabelës”, insistoi Krasniqi, që pranoi se epërsia e Young Boysit prej shtatë pikëve mund të arrihet. “Ne duhet të përqendrohemi te vetja dhe të mos shikojmë shumë skuadrat e tjera. Ajo që bën Young Boysi është puna e tij. Kështu që, ne do të fokusohemi te vetja dhe do të tentojmë të arrijmë synimet tona”.
Krasniqi ka edhe shtatë paraqitje me Përfaqësuesen U21 të Zvicrës, ndërsa me skuadrën e Zuerichut ka kontratë deri në verën e vitit 2027.