Sport

Dhomat me sensorë në stadium u ofrojnë tifozëve përvojën unike në Botëror

Larg brohoritjeve të zhurmshme, dritave dhe fishekzjarrëve të ndeshjeve të Kupës së Botës, ka një hapësirë të sigurt për tifozët që mund të kënaqen në një ambient qetësie stadiumi. “Dhomat ndijore” në tri stadiume në Katar, ofrojnë strehë të qetë për fëmijët dhe të rinjtë me autizëm, vështirësi në të mësuar ose kërkesa të tjera ndijore.

Të vendosura nëpër stadiumet “Al Bayt”, “Education City” dhe “Lusail”, dhomat kanë orendi të buta, kufje për anulimin e zhurmës dhe mjete e lodra interaktive për t'i ndihmuar fëmijët të përballen me atmosferën e zhurmshme dhe t'i ndihmojnë ata të lehtësojnë ankthin dhe të shijojnë përvojën unike të një loje në Kupën e Botës.

“Të kesh një hapësirë si kjo është një pushim. Është si një përqafim i ngrohtë”, tha Raana Smith, bashkëthemeluese e “Sensory Souk”, një kompani me bazë në Doha që ka personelin e dhomave ndijore. “Të gjithë duhet të kenë të drejtën dhe mundësinë për të përjetuar futbollin. Nëse dikush ka të folur të kufizuar, lëvizshmëri të kufizuar, kjo nuk duhet të jetë një pengesë për të përjetuar ndonjëherë diçka kaq të mrekullueshme dhe aq të këndshme për turmën”.

Dhomat me ndriçim të zbehtë përfshijnë jastëkë të butë, drita shumëngjyrëshe qetësuese dhe tuba e dërrasa flluskash, të montuara në mure që ofrojnë tekstura të ndryshme për t'i ndihmuar njerëzit të qetësohen dhe të rifokusohen.

Tifozët pajisen me çanta ndijore që përfshijnë kufje për anulimin e zhurmës, jastëkë dhe lodra të lëvizshme si duartrokitje plastike dhe doreza. Dritaret e mëdha nga dyshemeja deri në tavan u lejojnë familjeve të mbajnë një sy në terren. Qëllimi përfundimtar është që të familjarizohen gradualisht tifozët me lojën, duke i lejuar ata të ulen në tribuna për periudha të caktuara dhe më pas të kthehen në dhomën e sensorëve kur është e nevojshme, tha Alison Saraf. Ajo është bashkëthemeluese e “Sensory Souk” në stadiumin “Lusail”, me kapacitet prej 80,000 ulësesh, ku edhe do të luhet finalja e Botërorit.

“Te fëmijët, ajo që ne në mënyrë ideale duam të bëjmë është të ndezim pasionin për një sport të ri”, tha Saraf. “Qëllimi është gjithmonë që sa më shumë njerëz të shijojnë lojën jashtë dhe të përjetojnë gjithçka që është këtu”.

Nisma drejtohet nga FIFA dhe Komiteti Suprem për Dorëzimin dhe Trashëgiminë të vendit nikoqir. Dhomat ndijore janë futur gjithashtu vitet e fundit në sportet profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë MLS-në, NBA-në dhe NFL-në, për të ofruar hapësira qetësuese për tifozët me sfida shqisore.

“Ky është me të vërtetë një fenomen mbarëbotëror, pasi njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë faktin se ata duhet ta zgjerojnë tërheqjen e sportit për çdo grup i popullsisë”, tha doktori Julian Maha, bashkëthemelues i “KultureCity”, një organizatë me bazë në SHBA që ka ndihmuar ekipet sportive në të gjithë SHBA-në me programe për vizitorët me një sërë problemesh shqisore, duke përfshirë edhe njerëzit me autizëm.

“Për shkak të problemeve të tyre shqisore, kur të shkosh në një ngjarje sportive në një vend si stadiumi, nuk mund të jetë vetëm dërrmuese por edhe e dhimbshme fizikisht për shkak të turmave, zhurmës, erërave”.

Duke ofruar dhoma ndijore, tha ai, Kupa e Botës po “hap lojën për një grup me shumë njerëz, njerëz që nuk janë përfshirë. Dhe, duke u dhënë atyre mundësinë që të riangazhohen dhe të bëhen sërish pjesë e komunitetit dhe të shijojnë të gjitha gjërat”.