Një hartë e botës ndez paralajmërimet e kërcënimeve kibernetike. Në pamje përgjatë murit të mbuluar me ekran të madh vjen video e drejtpërdrejtë nga stadiumet e Kupës së Botës. Pastaj janë panelet e alarmit të incidentit për të tetë vendet në Katar. Kjo qendër komandimi për Kupën e Botës është shumë e qetë. Sidoqoftë, deri në nëntor, do të jetë në qendër të operacioneve për ngjarjen sportive të profilit më të lartë që do të organizohet në Lindjen e Mesme. Ky është vështrimi i parë brenda njërës prej vendndodhjeve kryesore që mbikëqyr sigurinë dhe logjistikën. Siç tregon qartë një ekran me hartën e Katarit, Kupa e Botës po zhvillohet në mjedisin më kompakt ndonjëherë. Të tetë stadiumet që monitorohen nga kjo dhomë, e cila është në qendrën sportive “Aspire” në periferi të Dohas, janë brenda një rrezeje prej 50 kilometrash nga kryeqyteti i Katarit. Shumica e 32 përfaqësueseve pjesëmarrëse do të kenë zbuluar se ku do të luajnë pasi shorti i turneut të hidhet në qendër të Dohas të premten - mbledhja e parë e madhe e futbollit botëror në qytet qëkur Katari e fitoi në mënyrë kaq të papritur votën e FIFA-s për organizimin e këtij turne në vitin 2010. Vendimi kërkonte një përmirësim të madh të infrastrukturës dhe që ky komb i vogël të përgatitej për një fluks të paprecedentë mbështetësish.
“Ne kemi aftësitë për të monitoruar nga distanca çdo sistem që mundemi, të kontrollojmë çdo sistem dhe në këtë mënyrë të ndryshojmë sjelljen në stadiume”, tha Niyas Abdulrahiman, një drejtor ekzekutiv i Komitetit Organizativ të Botërorit.
Abdulrahiman po fliste gjersa ishte i rrethuar nga stafi që shikonte në këndet e monitorëve.
“Ne gjithashtu mund të marrim alarme dhe njoftime si pjesë e monitorimit tonë proaktiv në qendrën komanduese. Përpara se diçka të shkojë keq”, paralajmëroi ai.
Katari pretendon se ky është sistemi më i sofistikuar që është parë ndonjëherë në një ngjarje sportive. Në lidhjen e stadiumeve me një qendër, do të thotë se çdo stadium ka gjithashtu një version digjital të vetvetes që lejon zyrtarët të gjurmojnë një problem në vend. Përplasja vdekjeprurëse në janar që përfshiu tifozët në Kupën e Afrikës në Kamerun mund të shmanget në Kupën e Botës, falë aftësisë së qendrës së komandës për të ofruar vendime kyç në lidhje me kontrollimin e turmës dhe nëse do të hapen portat e stadiumit.
“Një nga karakteristikat më të fuqishme të kësaj qendre komandimi është koordinimi i veprimeve të ndryshme në terren në rast të ndonjë incidenti fatkeq, siç është një situatë e bazuar në turmë”, tha Abdulrahiman. “Këtu fuqia e platformës është se ju keni kontroll të plotë mbi ato sisteme dhe, nëse ndodh një incident i tillë, ekziston një procedurë standarde e paracaktuar operimi që fillon të ekzekutojë një, dy, tri hapa. Pra, një prej tyre do të ishte që, nëse ka një emergjencë, hapni të gjitha portat. Kështu që kjo mund të ndodhë menjëherë”.
Njoftimet publike mund të nxirren nga qendra e komandës për t'u transmetuar në stadiume, duke përfshirë thirrjen për evakuim. Mesazhet mund të shfaqen në ekranet e stadiumit nga tastierat që e rrethojnë Abdulrahiman.
“Nëse ka një incident në një stadium, ne nuk mund ta menaxhojmë vetëm atë incident në atë stadium, por edhe se si do të ndikojë në stadiumet e tjera”, insistoi ai.
Por, një lidhje e tillë paraqet rreziqe të bëra të qarta nga harta e globit që tregon kërcënime të drejtpërdrejta nga hakerët dhe vendet që sulmohen në mënyrë digjitale për të depërtuar në sisteme. Mbikëqyrja kibernetike do të ndodhë gjatë gjithë kohës për të siguruar që lufta moderne në internet të mos përbëjë rrezik për këtë ngjarje të madhe të FIFA-s, që do të mbahet nga data 21 nëntor deri më 18 dhjetor të këtij viti.
“Terrorizmi kibernetik është bërë gjithnjë e më i spikatur dhe është bërë një mjet i preferuar për njerëzit me qëllime të këqija”, tha Abdulrahiman. “Ne jemi siguruar që kemi mjetet, aftësitë dhe njerëzit për t'u përgatitur për skenarë të tillë fatkeq”.