Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Derbi i Sevillas në hije të lamtumirës së Piques

Fokusi në xhiron e 13-të të La Ligas do të jetë në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin “Camp Nou” ndërmjet Barcelonës dhe Almerias. Në duelin që luhet të shtunën prej orës 21:00 nuk pritet të ketë ndonjë rivalitet të madh në fushë, pasi Barcelona konsiderohet favorite e madhe. Mirëpo, në këtë ndeshje mbrojtësi Gerard Pique do të paraqitet për herë të fundit në “Camp Nou” para tifozëve të Barcelonës. Pique ditë më parë ka njoftuar për tërheqjen e tij nga futbolli aktiv në fillim të vitit të ardhshëm dhe pritet të aktivizohet ndaj Almerias për t’u përshëndetur nga tifozët. Ai vlerësohet legjendë e klubit, pasi është zhvilluar në akademinë e Barcelonës kurse pjesë e ekipit të parë edhe prej vitit 2008. Pique ka regjistruar gati 400 paraqitje në të gjitha garat dhe ka fituar gjithçka që mund të fitohet. Barcelona, që është e dyta në La Liga me 31 pikë, një më pak se Real Madridi që prin, do të kërkojë ta fitojë këtë ndeshje për t’ia dhënë Piques lamtumirën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Edhe Reali do të ketë punë të lehtë pasi është mysafir i Rayo Vallecanos në ndeshjen që zhvillohet të hënën prej orës 21:00.

Derbi i kësaj xhiroje do të jetë ai i rivalëve të përbetuar të qytetit, Real Betisit dhe Sevillas. Në këtë duel të zjarrtë, që luhet të dielën prej orës 21:00, rolet e skuadrave do të jenë të kundërta në krahasim me të shkuarën. Pasi kaloi vite përpara rivalit dhe kishte synime për titull, Sevilla këtë edicion ka mbetur shumë prapa. Skuadra e trajnerit Jorge Sampaoli në ndeshjen që njihet si “El Gran Derbi” futet si autsajdere. Renditet e 18-ta në tabelë ku ka tubuar vetëm dhjetë pikë pas 12 ndeshjeve të luajtura. Në anën tjetër, Betisi ka 13 pikë më shumë dhe po lufton që sezonin e ardhshëm të paraqitet në Ligën e Kampionëve. Aktualisht mbanë vendin e katërt në La Liga. Atletico Madridi, që ka 23 pikë sikurse Betisi, përballet në stadiumin “Wanda Metropolitano” me Espayolin, të shtunën.