Prishtinë, 5 janar - Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka pasur ndikim të madh në sportin e të gjithë botës. Përhapja e virusit bëri që të pezullohen kampionatet në disa sporte, ndërsa në disa të tjera kampionatet u anuluan tërësisht. U anulua, ndër të tjera, kampionati i Kosovës në basketboll.
Shumica e sportistëve kanë pësuar nga koronavirusi, por disa kanë pasur pikë kthese pikërisht në kohën e pandemisë. Njëra prej tyre është Astera Tuhina, që vlerësohet prej sportisteve më të talentuara kosovare. Ajo luan basketboll dhe po zhvillohet në Spanjë.
Në Spanjë ndeshjet e grupmoshave të reja në basketboll janë rralluar shkaku i virusit dhe kjo i mundësoi basketbollistes 16-vjeçare, që të debutojë me ekipin e parë të klubit Deportivo Promete në Superligën spanjolle.
Astera u bë pjesë e klubit spanjoll kur ishte 13-vjeçare dhe deri në vjeshtë të vitit të kaluar bëri gara për grupmoshat e reja. Te të rejat e Deportivo Prometes luajti për më shumë se dy vjet.
Ndërkohë ftesën për t’iu bashkangjitur ekipit te senioreve e mori në kohën kur e gjithë bota po përballej me pandemi. Pas një kohe te shkurtër ajo bëri edhe debutimin në Superligën e Spanjës. Me ekipin, Deportivo Prometes, luajti në elitë në nëntor të vitit të kaluar.
“Në Deportivo Promete luaj që nga shtatori i vitit 2018, kur isha vetëm 13 vjeçe. Kam ushtruar dhe kam luajtur me kategoritë e reja. Këtë edicion për shkak të pandemisë lojërat me grupmoshat e reja nuk janë të shpeshta kështu që klubi ka vendosur që unë të ushtroj dhe të jem pjesë e ekipit të senioreve”, ka thënë Astera Tuhina në një intervistë për KOHËN.
16-vjeçarja paraqitjen e parë në elitën spanjolle e bëri kundër SPAR GIRONA, ekipit në të cilin luajnë yje të përfaqësueses së Spanjës dhe të Serbisë. Astera nuk e kishte menduar se në një moshë kaq të re, do të ishte pjesë e një ekipi të madh siç është Deportivo Prometes. Ajo nuk kishte besuar se do t’i vinte mundësia kaq shpejt për të luajtur me ekipin e të rriturave.
“Të them të drejtën nuk e prisja që do të debutoja këtë edicion. Është ndjenjë me të vërtetë shumë e veçantë, duke marrë parasysh që është Superliga e Spanjës. Që nga fillimi kam ushtruar me ekipin, mirëpo nuk kam qenë pjesëmarrëse në lojëra të senioreve. Ka më shumë se një muaj që jam pjesë e dymbëdhjetëshes dhe jam shumë e lumtur për këtë fakt”, ka treguar Tuhina.
Astera është lojtarja më e re në ekipin e Prometes, kurse optimizmin për të fituar minutazhë më të madhe nuk e fsheh. Ajo thotë se po punon çdo ditë pa ndalur dhe me përkushtim të madh që ta fitojë besimin e trajnerit, Cesar Aneas. Gjatë edicionit aktual, 2020/2021, Astera shpreson që të bëhet një ndër lojtaret kyçe të ekipit spanjoll dhe t’iu bashkohet lojtareve profesioniste me të cilat ka dallim të madh në moshë.
“Ushtroj shumë dhe shpresoj të kem minutazhë më të madhe deri në fund të sezonit, edhe pse është mjaft sfiduese pasi që niveli i basketbollit spanjoll është shumë më i lartë se ai kosovar, ndërsa lojtaret në pesëshen startuese janë profesioniste dhe kanë përvojë më shumë se unë, kuptohet”.
Astera deri tani ka pasur tri paraqitje me ekipin e senioreve. Ka pasur hapësirë të vogël, por shpreson për shumë më tepër minuta në vazhdim të kampionatit.
Largimin nga familja në moshë të re, Astera në fillim e përjetoi shumë vështirë, por me kalim e kohës thotë se u përshtat. Angazhimet në stërvitje dhe studimet në shkollë nuk i lënë shumë kohë për të ndierë mungesën e familjes. Basketbollistja prishtinase ndjek mësimet në gjuhën spanjolle në njërën prej shkollave në Lograno të Spanjës.
“Shkollën e vijoj në gjuhën spanjolle. Gjuhën e kam mësuar shumë shpejt për shkak se në pjesën ku jetoj unë, jo shumë njerëz flasin anglisht”, ka treguar basketbollistja e re.
Astera Tuhina vlerësohet një prej shpresave më të mëdha në basketbollin kosovar dhe fakti që ajo është basketbollistja e vetme nga Kosova që luan në njërën prej top-ligave të Evropës e bën të ndihet shumë krenare.
”Jam shumë e lumtur që më është dhënë mundësia të luaj në njërën prej ligave më të forta në Evropë. Kam ushtruar dhe i jam përkushtuar shumë basketbollit qysh nga fëmijëria, kështu që jam e lumtur që më është shpaguar deri tani ky përkushtim”.
Astera karrierën e filloi në moshë shumë të re. Ishte vetëm pesëvjeçare kur nisi të praktikojë sportin e basketbollit. Ishte babai i saj, basketbollist në atë kohë, që e inkurajoi të merret me basketboll. Ai ende vazhdon ta mbështesë vajzën e vogël, ndonëse nga larg.
“Me basketboll kam filluar të merrem që nga mosha 5-vjeçare. Jam inspiruar nga babai, i cili më ka shtyrë dhe ende vazhdon të më përkrah shumë”, tregon Astera.
Në kohën kur Astera nisi të mësojë basketbollin, nuk kishte ekip për të rejat. Për këtë u detyrua të ushtronte me djem. Ndërkohë u formua ekipi për vajza të reja. Astera luajti për Prishtinën deri në moshën 13-vjeçare. Pastaj u transferua në Spanjë. Vazhdimisht është vlerësuar lojtare shumë e talentuar.
“Në Kosovë kam luajtur edhe në ligën e djemve për shkak se ne një periudhë nuk ka pasur ekipe të femrave, natyrisht për të rejat. Atë kohë isha pjesë e Kerasan Prishtinës”, thotë Tuhina.
Fundorja është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës për grupmoshat U-16 dhe U-20, me të cilat pati paraqitje të mira. Ambiciet e Asterës për të ardhmen janë që studimet t’i vazhdojë në SHBA dhe njëkohësisht të luajë në ligën e kolegjeve atje. Ajo është në bisedime me disa prej kolegjeve amerikane dhe deri në vitin e ardhshëm beson qe do ta bëjë zgjedhjen e duhur.
“Studimet besoj se do t’i vazhdoj në Amerikë. Jemi në bisedime me disa kolegje dhe besoj se deri në verën e këtij viti do të marr një orientim të saktë”, ka thënë basketbollistja kosovare.
Ëndrra e Asterës së re është të mbërrijë kulmin si lojtare në ligën më të famshme në botë, atë WNBA (Women's National Basketball Association). Po ashtu, pritet të jetë bartëse e lojës së Kosovës A, që debuton sivjet në skenën ndërkombëtare.
{gallery}