Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Astera Tuhina shijon suksesin e madh në SHBA

Astera  Tuhina

Basketbollistja nga Kosova, Astera Tuhina, ka shijuar sukses në vitin e saj të parë në SHBA. Në fakt suksesi i arritur është vlerësuar historik si për Tuhinën ashtu edhe për ekipin e saj, Washington State Cougars.

Me ekipin State Cougars, Astera Tuhina është shpallur kampione e turneut “PAC-12”. Në finalen e madhe Washingtoni ka triumfuar ndaj skuadrës UCLA, që ishte favorite. Finalja e luajtur të dielën në Las Vegas ka përfunduar me shifrat 65:61 për ekipin e kolegjit Washington State Cougars.

Ky ishte një sukses i madh dhe historik për Cougars, që është bërë ekipi i parë i basketbollisteve në shtetin e Washingtonit që është kurorëzuar me titullin e kampionit të turneut “PAC-12”. Basketbollistët e kishin fituar këtë titull para tetë dekadave.

Cougars ishte i shtati në renditje dhe nuk ishte bartës, ndërsa është bërë skuadra e nivelit më të ulët që avancoi në këtë turne dhe u shpall kampion. Me suksesin e arritur, Cougars tani do të zhvendoset në turneun NCCA, ku më vonë këtë muaj do ta kërkojë fitoren e parë.

Turneu i basketbollit Konferenca Pac-12, i njohur ndryshe si “PAC-12”, është turneu vjetor i fundit para turneut të kolegjeve në NCAA, në të cilin marrin pjesë 12 ekipe. Pasi është mbajtur për gjashtë vjet në “KeyArena” në Seattle (2013-2018), turneu u zhvendos në Las Vegas. Rangimi i ekipeve për këtë turne bazohet në të dhënat e sezonit të rregullt. Turneu është mbajtur çdo vit që nga 2002-ta, kur konferenca njihej si “Pac-10”.

Astera Tuhina, e cila iu bashkua ekipit vitin e shkuar, pati ndikim të madh në suksesin e Cougars në këtë turne. Kur kishin mbetur edhe nëntë sekonda deri në fund të finales dhe rezultati ishte 64:61, Tuhina bllokoi tentimin për tri pikë të Charisma Osborne dhe në anën tjetër, Tara Wallack realizoi njërën prej dy gjuajtjeve të lira për rezultatin përfundimtar të takimit. Për pesë ditë, Cougars fitoi katër ndeshje për titullin e kampionit. Para ekipit UCLA në finale, Cougars mposhti edhe Californian, Utahn dhe Coloradon.

Për 31 minuta të kaluara në parket në finale, Tuhina realizoi 6 pikë, 6 asistime dhe 2 topa të vjedhur. Paraqitja e Tuhinës, jo vetëm në këtë finale, por në përgjithësi këtë sezon është vlerësuar pozitivisht dhe këtë e ka konfirmuar edhe trajnerja Kamie Ethridge.

“Ajo në të vërtetë nuk është ‘studente’ e re. Ne e dinim që ditën e parë kur na është bashkuar. Astera është larguar nga shtëpia në moshën 14-vjeçare për të luajtur në Spanjë. Është një lloj fëmije i veçantë. Ka inteligjencë të lartë. Jam krenare dhe e lumtur për paraqitjen e saj”, ka thënë Ethridge.

Astera Tuhina, 18-vjeçare, është përgëzuar për paraqitjen e mirë edhe nga bashkëlojtaret e saj, të cilat vlerësojnë lart angazhimin dhe kontributin e kosovares.

“Ne kemi thënë që nga hera e parë që ajo hyri në kampus, Astera nuk është studente e re”, tha Bella Murekatete. “Ajo ka përvojë dhe ka një ndjenjë të madhe për lojën. Jam shumë e bekuar dhe mirënjohëse që e kam në ekip. Qëndrimi i saj, mënyra se si lexon mbrojtjen dhe se si është aq e mirë në sulm na ndihmuan me të vërtetë me çdo gjë që na nevojitej në momentin e fundit”, shtoi qendra Murekatete.

Astera Tuhina është njëra prej basketbollisteve më të talentuara të Kosovës, ndërsa para se të zhvendoset në SHBA, ajo ka qenë pjesë e ekipit elitar të Spanjës, Deportivo Promete. Tuhina krahas paraqitjeve për Përfaqësuesen A të Kosovës ka luajtur edhe me gjeneratat e reja të “Dardaneve”.

Artikuj të ngjashëm