Mbrojtësi i krahut të majtë, Mattia De Sciglio pritet së shpejti të rinovojë kontratën me skuadrën e Juventusit, ka shkruar të mërkurën sajti italian “Calciomercato”.
De Sciglio tashmë ka nisur negociatat me krerët e Juventusit dhe marrëveshja është afër finalizimit.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri llogarit në shërbimet e Di Sciglios dhe për këtë arsye dëshiron ta mbajë në ekip edhe pas përfundimit të sezonit aktual.
29-vjeçari ka kontratë me Juventusin deri në verë kurse pas rinovimit do të jetë pjesë e klubit deri në vitin 2024.
De Sciglio këtë edicion ka një gol e dy asistime në 21 ndeshje të luajtura për Juventusin. Ai është pjesë e Juventusit prej vitit 2017 kurse sezonin e shkuar ishte i huazuar te Lyoni.