Manchester City do ta ketë në dispozicion mesfushorin Kevin De Bruyne për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.
Belgu, që i mungoi Cityt në dy ndeshjet e fundit kampionale për shkak të lëndimit, është rikthyer në stërvitje dhe do të jetë gati për ta ndihmuar ekipin ndaj Realit.
Dueli i parë mes këtyre dy skuadrave zhvillohet të martën në stadiumin “Santiago Bernabeu” në Madrid.
Rikthimi i De Bruynet ka gëzuar trajnerin Pep Guardiola, duke pasur parasysh se 31-vjeçari është njëri prej lojtarëve kyç në ekip.
Ai këtë edicion ka shënuar 9 gola dhe ka bërë 27 asistime në të gjitha garat për Cityn, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025.
Mesfushori ka gjasa të aktivizohet për pak minuta edhe në ndeshjen kampionale ndaj Leeds Unitedit, të cilën City e luan në shtëpi të shtunën në kuadër të kampionatit anglez.