Kevin de Bruyne nuk ka ende një titull përcaktues të karrierës i cili do ta fuste në mesin e yjve më të mëdhenj të gjeneratës së tij. Ai mund të mos e arrijë këtë titull kurrë në nivel ndërkombëtar, me “Gjeneratën e artë” të Belgjikës që vazhdimisht dështoi të shpallej kampione. Të qenit një fitues serial i trofeve vendëse me Manchester Cityn nuk do të mjaftojë për shumë njerëz që De Bruyne të konsiderohet yll. Pra, a është gara në Ligën e Kampionëve ajo kur do të vijë momenti i tij i madh?
“Natyrisht”, tha De Bruyne, “fitimi i Championsit do të ndryshonte gjërat në karrierën time”.
Ka qenë një histori dhimbjeje deri më tani në garën elitare të Evropës për mesfushorin 30-vjeçar, i cili “prodhon magji” në fushë për Cityn. Vitin e kaluar De Bruyne nuk luajti as një orë në finalen e tij të parë të Ligës së Kampionëve. U ndihmua të dilte jashtë fushës - i trullosur dhe i hutuar - pasi pësoi një frakturë në hundë në një përplasje me mbrojtësin e Chelseat, Antonio Rudiger. De Bruyne u detyrua të zëvendësohej në ndeshjen që City e humbi në Porto me rezultatin 1:0. Në vitin 2020, ai ishte pjesë e një ekipi të Cityt të mposhtur çuditërisht nga Lyoni në çerekfinale.
“Ne duhet të mësojmë”, u arsyetua De Bruyne më pas.
Dhe në vitin 2019 ai as nuk e nisi ndeshjen kundër Tottenhamit, që ishte e para çerekfinale, të cilën City e humbi 1:0 përpara se të eliminohej një javë më vonë. Edhe ky edicion mund të jetë një mundësi e humbur.
Edhe
De Bruyne njofton për largimin nga Man. City
City mundi Real Madridin në ndeshjen e parë të gjysmëfinales javën e kaluar, por arriti vetëm një fitore 4:3 në “Etihad Stadium”. Ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën mbrëma dhe De Bruyne është i vetëdijshëm se forcat e ekipeve janë të barabarta.
“Nëse luajmë ashtu siç luajtëm javën e kaluar, ne kemi potencialin të jemi një nga skuadrat më të mira në botë”, tha ai. “Por ne duhet ta bëjmë një paraqitje të tillë edhe në ndeshjen e dytë, ndonëse duhet pranuar që edhe Reali ka mundësi të fitojë. Gjithçka do të jetë e barabartë”.
De Bruyne shënoi një gol të hershëm dhe krijoi një tjetër kundër Real Madridit për të vazhduar serinë e tij të paraqitjeve frymëzuese të sezonit të fundit. Pasi ka marrë kohë për t'u përshtatur plotësisht pas këputjes së ligamenteve të kyçit të këmbës gjatë Kampionatit Evropian të vitit të kaluar, De Bruyne është në formë të shkëlqyer dhe po rritet në ndeshjet e mëdha. Në dhjetë paraqitjet e fundit ai ka shënuar kundër Manchester Unitedit e Liverpoolit në Premier League, si dhe Atletico Madridit e Real Madridit në Champions. Asistimet vazhdojnë të rrjedhin nga harkimet dhe pasimet e tij të sakta. Megjithatë, bota e futbollit ende pret që De Bruyne të bëjë atë paraqitjen e lojtarit të ndeshjes në një finale të madhe si ajo në Ligën e Kampionëve, vetëm për të kompletuar një karrierë frymëzuese te City që përmban tre tituj kampioni në Premier League, gjashtë kupa vendase ( FA dhe të Ligës), dhe çmime të njëpasnjëshme për Lojtarin e Vitit (2020, 2021). Për disa, suksesi në Champions do ta ngrinte atë në madhështi.
“Për veten time nuk mendoj se kjo ndryshon perspektivën si lojtar”, tha ai. “Unë e di se çfarë kam bërë mirë, e di se çfarë kam bërë keq në karrierën time. Jam shumë i kënaqur me atë që kam bërë. Natyrisht që dua të fitoj çdo trofe, por kjo është një detyrë e vështirë. Do të doja të fitoja Championsin”.
De Bruyne ishte lojtari më i mirë i Cityt në rrugën për në finale vitin e kaluar, duke përfshirë një paraqitje me ndikim dhe gol në një fitore ndaj Paris Saint-Germainit në gjysmëfinale. Nën drejtimin e Pep Guardiolas dhe falë më shumë se një dekade shpenzimesh të mëdha, City është bërë ekip i madh në Evropë, por që nuk ka fituar ende trofeun kryesor kontinental.
“Mendoj se jemi në rrugë shumë të mirë. Natyrisht fakti që nuk e kemi fituar ende Championsin do të jetë ndoshta kritika e vetme që mund të marrim. Ne kemi luftuar gjithmonë për të fituar këtë garë”, tha De Bruyne.
“Konsistenca që kemi si klub ka qenë e mahnitshme. Ne vetëm duhet të përpiqemi të kapërcejmë vijën, pra ta fitojmë Championsin”.
De Bruyne nuk është një futbollist tipik superyll. Jashtë fushës atij i pëlqen të jetojë larg vëmendjes. Në fushë ai është më shumë një lojtar skuadre, pasi asistimet e tij të panumërta i japin më shumë kënaqësi sesa golat që i shënon. Dëshmia për këtë është ndeshja ndaj Watfordit para dhjetë ditësh, kur ai humbi një mundësi për të gjuajtur penalltinë duke ia dhënë Gabriel Jesusit që të regjistrojë “hat-trick”.
Edhe
De Bruyne “larg formës” pas kthimit në fushë për Cityn
“Për të ishte e rëndësishme”, tha De Bruyne. “Nuk më intereson nëse shënoj nga penalltia. Goli nuk është se me çon aty ku dua të arrij”.
Fitimi i Ligës së Kampionëve është suksesi që do ta çonte De Bruynen aty ku dëshiron ai.