Ish-futbollisti i njohur holandez, Frank de Boer ka dhënë një përgjigje interesante sa i takon koronavirusit.
De Boer aktualisht është trajner i skuadrës amerikane Atlanta United, ndërsa testimi i tij për koronavirus doli negativ. Holandezi 49-vjeçar është i lumtur që rezultati i doli negativ, por ai mendon se më mirë do të ishte që rezultati të ishte pozitiv dhe të shërohej nga koronavirusi.
“Testi negativ për koronavirus? Në një mënyrë jam i lumtur, por do të preferoja të kisha rezultat pozitiv kështu që tashmë do të isha shëruar dhe do të isha imun”, ka thënë Frank de Boer për gazetën holandeze AD.
“Një pjesëtar i stafit tonë nuk është ndier mirë kur ishim në fillim të situatës në SHBA. Për këtë arsye kemi vendosur që të testohemi të gjithë”.
De Boer ka luajtur 112 ndeshje për Holandën dhe ka realizuar 13 gola. Mbrojtësi në nivel klubesh ka luajtur për Ajaxin, Barcelonën, Galatasarayn, Rangersin dhe disa skuadra tjera. Si trajner ka punuar te Ajaxi, Interi, Crystal Palace dhe prej vitit 2018 është te Atlanta United. Ai është pyetur për të ardhmen e ligës holandeze.
“Nëse do të mund të luanim do të ishte më së miri. Shpallja e kampionëve me ndeshje në fushë të blertë është gjëja më e mirë”, ka thënë De Boer.