Basketbollisti i Pejës, Justin Davis është shpallur më i miri i xhiros së fundit të Superligës së Kosovës, që u zhvillua vikendin e shkuar. Davis ka marrë epitetin e lojtarit MVP për xhiron e katërt, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të hënën.
Amerikani Davis ishte më i merituari në fitoren e Pejës në udhëtim te Golden Eagle Ylli me shifrat 95:90. Për Pejën, kjo ishte fitorja e katërt në po aq ndeshje të luajtura dhe është ekipi i vetëm që ende nuk di për humbje këtë sezon.
Davis ndeshjen ndaj Yllit e mbylli me “double-double” prej 27 pikëve e 10 kërcimeve, duke e pasur indeksin 26. Kjo është hera e parë për Davisin që shpallet MVP. Po ashtu, Davis është përfshirë edhe në pesëshen më të mirë të xhiros së katërt.
Krahas tij, në pesëshe janë përfshirë edhe dyshja e Bashkimit, Erik Copes e Grant Lozoya, pastaj Derrick Wilson i Sigal Prishtinës dhe Dardan Kapiti i Trepçës.