Fundori i Pejës, amerikani Jay Jay Chandler është shpallur lojtari më i mirë i xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar të martën se Chandler është nderuar me çmimin “MVP”, i cili këtë edicion po ndahet pas çdo xhiroje për basketbollistin më të mirë.
Chandler e udhëhoqi Pejën drejt triumfit ndaj Bashkimit në Prizren, duke bërë që kampionia në fuqi, të triumfoj me shifrat 94:88.
Në këtë ndeshje, Chandler pati indeksin 35, i cili ishte më i larti për xhiron e 14-të. Atij i mungoi vetëm edhe një asistim për ta mbyllur ndeshjen kundër Bashkimit me “triple-double”. Chandler pati 25 pikë, 11 kërcime e nëntë asistime, ndërsa ka zënë vend edhe në pesëshen më të mirë të xhiros.

Krahas tij, në pesëshe janë përfshirë edhe Isiah Kelly i Proton Cable Prizrenit, Darnell Edge i Trepçës dhe dy amerikanët e Sigal Prishtinës, Steven dhe Shaheed Davis.