Futbollisti Alphonso Davies ka firmosur të hënën kontratë të re me Bayern Muenchenin.
Këtë e ka bërë të ditur klubi i madh gjerman i futbollit. Davies (19) kishte kontratë deri në vitin 2023, por ka vazhduar atë edhe për dy vite tjera, deri më 30 qershor të vitit 2025.
Davies i është bashkuar Bayernit nga Vancouver Whitecaps në vitin 2018.
“Alphonso është zhvilluar mirë te Bayerni dhe ka merituar vazhdimin e kontratës me paraqitje impresive. Ne jemi të lumtur që ai do të mbetet te Bayerni për kohë të gjatë”, ka thënë shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.
“Jam shumë i lumtur. Bayerni është prej klubeve më të mira në botë dhe për mua është një ëndërr e realizuar të luaj këtu. Jam ndier i lumtur prej ditës së parë. Dua të fitoj sa më shumë me këtë klub”, ka thënë Davies.
Davies luan për Kanadanë, ndërsa këtë edicion është paraqitur rregullisht te Bayerni, raporton Koha.net.