Arbitri Daut Mehmeti e ka cilësuar skandaloz vendimin e institucionit më të lartë të basketbollit, FIBA, për përjashtimin e tij të përjetshëm nga basketbolli.
Mehmeti të dielën për KOHËN ka thënë se vendimi i FIBA-s është i pabazuar dhe se nuk ka fakte për përfshirjen e tij në trukime të ndeshjeve.
Gjyqtari i njohur kosovar i basketbollit, Mehmeti, është përjashtuar përjetësisht nga FIBA për shkelje të Kodit të Sjelljes dhe Integritetit të Federatës Botërore. Sipas faqes zyrtare të FIBA-s, dënimi tashmë është në fuqi.
Arsyeja që ka sjellë dënimin për gjyqtarin 37-vjeçar janë bastet dhe trukimet e paligjshme të disa ndeshjeve që ai i kishte gjykuar. Ka dyshime për disa ndeshje të Ligës Ballkanike.
Por Mehmeti mohon përfshirjen.
“Të gjitha këto thashetheme i kam edhe me dokument. Janë të dokumentuara në Federatën e Basketbollit të Kosovës që janë thashetheme dhe nuk ka pasur diçka të kurdisur. Kanë dalë të pastra dhe sezoni ka vazhduar i rregullt”, ka thënë Mehmeti për KOHËN.
Njoftimi për dënim përmend “pezullim nga kryerja e funksionit” dhe “ndalim të pjesëmarrjes në të gjitha aktivitetet e FIBA-s” për shkelje të Kodit të Etikës dhe Integritetit të Federatës.
Mehmeti thotë se është marrë në pyetjet nga përgjegjës të FIBA-s dhe nga një zyrtare e FBK-së.
“Unë kam qenë në kontakt me këta persona. Gjatë gjithë vitit kam kontaktuar, kam bashkëpunuar dhe pyetjen e parë të cilën e kam bërë ka qenë se a jam i dyshuar apo, ta di, sepse nëse duan ta kenë një bashkëpunim ta di arsyen. Ndërsa përgjigjja e tyre ka qenë se nuk je i dyshuar, por ndeshjet të cilat i ke gjykuar janë të dyshimta”, është shprehur Mehmeti.
Gjyqtari prishtinas pretendon se fillimisht e kanë pyetur për bashkëpunim.
“Pas kësaj më kanë pyetur se a kam llogari në bastore, të cilat i kam demantuar. Ma kanë kërkuar telefonin personal për të shikuar se a kam, pasi kam qenë i hapur për bashkëpunim. Por kur ma kanë kërkuar telefonin i kam pyetur arsyen pse e kërkojnë, për të vërtetuar se a kam”.
Daut Mehmeti mohon të ketë të hapur llogari te ndonjë kompani bastesh.
“Pse jam i pastër e kam dorëzuar telefonin, në të cilin nuk kanë gjetur asgjë. Nuk ka ndonjë fakt që unë kam llogari, apo kam pasur ndonjëherë, apo kam pranuar”, tregon gjyqtari, që gjatë karrierës ka drejtuar qindra ndeshje.
Ai insiston se ka dëshmi që nuk e përfshijnë në trukim të ndeshjeve.
“Gjatë gjithë vitit kam bashkëpunuar me FIBA-n. Më janë kërkuar nga banka të gjitha transaksionet, të cilat i kam dorëzuar dhe në fund marr një përgjigje, sipas ‘Sportradar’, e cila i verifikon ndeshjet, me faktet të cilat i kam, nuk jam i përfshirë, është ekipi apo ku ta di unë”, thotë Mehmeti.
Arbitri kosovar tregon se edhe në komunikim me FIBA-n ka insistuar në pafajësinë e tij.
“Njerëzit mund të luajnë bastore nga cilido vend i botës. Por ajo që kam kërkuar nga FIBA gjithmonë ka qenë; personat që kanë luajtur bast dhe kanë fituar, normalisht i kanë marrë mjetet mbrapa, dhe pse FIBA nuk shkon t’i hetojë, apo personat e kontraktuar nga FIBA të shkojnë dhe t’i shikojnë kush i ka pranuar ato mjete”.
Mehmeti konfirmon se ka gjykuar gjashtë ndeshje të Maccabi Haifas në nëntë paraqitjet e tij të fundit në parket. Ai ka një vit që nuk drejton ndeshje.
“Është e vërtetë që i kam referuar gjashtë ndeshjet e fundit të Maccabit. Ka ndodhur që ndeshjet e Maccabit janë zhvilluar edhe 2-3 në Bullgari ose një në Maqedoni të Veriut, pasi ka qenë kohë e pandemisë. Dhe më ka ardhur lajm i befasishëm, gjashtë ndeshjet e fundit, të kurdisura, të manipuluara”.
Ai ka paralajmëruar ankesë. Thotë se i është cenuar e drejta.
“Unë do të ankohem për këtë punë, pasi së pari është cenuar e drejta ime, e dyta forenzika e telefonit, apo të hyjë në privatësinë e telefonit. Forenzika e telefonit me sa e di duhet të bëhet me urdhër të prokurorit dhe momenti që kërcënohem pse nuk e jap telefonit, unë do të vazhdoj për të mbrojtur emrin, autoritetin të cilin e kam krijuar me punë, pasi jam gjyqtar qe 20 vjet dhe asnjëherë nuk ka ndodhur të dyshohet e lëre me të mendohet se kemi montuar apo kemi luajtur bast. Duhet të ketë fakte, të dëshmohet se Daut Mehmeti ka luajtur bastore, atëherë besoj se edhe organet e drejtësisë duhet të merren me këtë”.
Ai ngul këmbë se nuk është përfshirë asnjëherë në manipulim të ndeshjeve për 20 vjet karrierë si gjyqtar basketbolli.
“FIBA e ka dërguar një raport, në janar besoj, ku kanë gjetur në telefonin tim tekste të cilat nuk kanë qenë as të miat, të përfshira, ku sërish kam dëshmi që ia kam kthyer FIBA-s duke u treguar se këto nuk janë të miat dhe nuk më përkasin mua. Personat që mund të jenë të involvuar i kam në raport, ku përmenden ekipet, por Daut Mehmeti asnjëherë, pasi Daut Mehmeti i vetëm nuk e gjykon ndeshjen, jemi tre gjyqtarë. Tash presim”, thotë Mehmeti.
Ai paralajmëron se në ditët në vazhdim do t’i bëjë publike të gjitha faktet.
“‘Sportradari’ i vërteton të gjitha. Nëse Daut Mehmeti ka biseduar me dikë ‘luaje bastore’ ose ‘po luaj bastore’ mund të vërtetohet me ‘Sportradar’. Por nëse vetëm njëra prej tyre del, atëherë do të duhej të shkoja në burg, vetë do të hyj në burg”, ka thënë ai.
Mehmeti tregon nëse ka pasur kontakt me Federatën e Basketbollit të Kosovës.
“Unë qe dy ditë e kam marrë këtë vendim dhe nuk kam mundur të kontaktoj me askënd të FBK-së. Nuk e di se çfarë po ndodh në sportin e Kosovës, por aq shumë zhurmë, aq shumë manipulime po ndodhin, Daut Mehmeti nuk ka gjykuar sivjet. Të implikohen gjyqtarë të huaj, të ndodhin shumë gjëra, atëherë ose Daut Mehmeti i pengon dikujt, nëse i pengon më mirë të tregohet, sepse emrin nuk do ta lejoj askush të ma njollosë”, ka thënë Mehmeti.
Ka shumë vjet që Liga Ballkanike ka qenë shumë e dyshuar për kurdisje të ndeshjeve. Dyshohet për një rrjet të shtrirë në shumë vende të Ballkanit që bëri kurdisje të ndeshjeve të basketbollit. Të paktën edhe një i dyshuar është nga Kosova.