Kryetari i Federatë së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu ka thënë se FIBA e ka përjashtuar përjetë Daut Mehmetin mbi prova të pakontestueshme për përfshirje në manipulim të ndeshjeve të basketbollit. Sipas vendimit të publikuar në sajtin zyrtar të FIBA-s, Mehmeti ka bërë shkelje të Kodit të Etikës dhe integritetit, basteve dhe manipulimit të garave. Mehmeti është përjashtuar nga basketbolli për baste ilegale dhe kurdisje të ndeshjeve.
“Prej momentit të indikacionit të parë për përfshirjen në manipulim e deri te konfirmimi përfundimtar me prova të pakontestueshme nga FIBA, ne në të gjitha fazat kemi qenë përkrah me FIBA-n. Në momentin që kemi marrë raportin e parë që ka shpreh dyshime për përfshirjen e gjyqtarit Mehmeti për manipulime, ne e kemi njoftuar organet e vendit”, ka thënë Fetahu të mërkurën në një intervistë për KOHËN.
Fetahu ka pranuar se dënimi i Mehmetit është njollë e madhe për basketbollin kosovar në përgjithësi.
“Se e dëmton a nuk e dëmton, dyshim nuk ka. E dëmton imazhin e basketbollit kosovar, federatës dhe kolegëve të tij, të cilët i ka lënë prapa. Pavarësisht që nuk ka të bëjë me ndeshjet tona, arbitri Mehmeti ka referuar ndeshje të ligës sonë, të ligës së femrave dhe ka qenë i deleguar për ndeshje ndërkombëtare. Por besoj se me këto hapa që i kemi ndërmarrë, jemi treguar pozitivë dhe përkundër faktit që është një ngjarje negative, besoj pozitivet do të ketë në periudhën afatmesme dhe afatgjate në integritetin e garës tonë”, është shprehur Fetahu.
Mehmeti për dy dekada ishte arbitër i basketbollit. Gjatë karrierës së gjatë ai ka drejtuar edhe ndeshje të FIBA-s, e po ashtu shumë ndeshje në Ligën Ballkanike (BIBL). Nga dosja e FIBA-s për Mehmetin, FIBA i vlerëson të kurdisura të paktën tri ndeshje të Ligës Ballkanike. Fetahu nuk zbulon se sa është numri i ndeshjeve të manipuluara, por insiston se ka pasur më shumë se një ndeshje. Ai thotë se është vërtetuar se Mehmeti ka pasur komunikim jo të duhur apo të papërshtatshëm lidhur me ato ndeshje, para dhe pas tyre. Një prej ndeshjeve ku Mehmeti kishte ndarë drejtësi, e që nga FIBA është vlerësuar ndeshje e kurdisur është ajo e 26 shkurtit të vitit 2020. Rahoveci ishte duke udhëhequr 45:38 ndaj Ibarit të Rozhajës pas pjesës së parë. Në fund humbi 80:69. Por, Fetahu insiston se nuk është vetëm Rahoveci në raportin e “Sportradar” është përmendur edhe një ndeshje e Sigal Prishtinës.
“Në raportin e ‘Sportradarit’ është apostrofuar Rahoveci njëra prej ekipeve, por ka edhe ekipe tjera të cilat kanë luajtur në Ligën Ballkanike gjatë dy apo tri viteve të fundit. Pra, ka pasur edhe të klubeve të tjera të Kosovës. Për ndeshjet e Ligës Ballkanike bëhet fjalë edhe për KB Sigal Prishtinën, një ndeshje të cilën ata e kanë zhvilluar me një klub nga Mali i Zi”, thotë ai.
Por, Fetahu i mbron klubet që janë nën ombrellën e institucionit që ai e drejton.
“Ne kemi bërë analizën e të gjitha ndeshjeve në të cilat kanë qenë të përfshira klubet e Kosovës, por nuk kemi ndonjë indicie apo ndonjë shtytje që veprimet e lojtarëve në fushë, apo trajnerëve të cilët e kanë drejtuar ndeshjen i kanë dhënë kontribut shkuarjes së rezultatit në një drejtim apo tjetrin. Në realitet ka qenë më shumë ndikimi i atyre që është dashur ta ndajnë drejtësinë në terren”, ka theksuar ai.
Ai thotë se klubet e Kosovës nuk do të kenë dëshirë për të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm në Ligën Ballkanike. Fetahu tregon se në raportin e “Sportradarit” ka pasur dyshime për manipulim të dy ndeshje të Ligës së Parë të Kosovës. Por, jo edhe të Superligës. Ai pret zbardhjen sa më shpejt të rastit të kurdisjeve të ndeshjeve, e po ashtu edhe të rastit me dy gjyqtarët nga Greqia. Më herët, këtë vit FBK-ja, largoi dy arbitra nga Greqia, para një ndeshjeje të rëndësishme, për shkak të një takimi të paautorizuar të tyre me një person të panjohur në gjysmë të natës. Sigal Prishtina kishte akuzuar se arbitrat grekë kanë tentuar të manipulohen për të kurdisur ndeshjen në të mirë të Trepçës. Trepça kishte mohuar akuzat dhe kishte kërkuar hetime të menjëhershme. Hetimet kanë nisur, por pa ndonjë informatë tjetër deri më tani.
“Mbes me shpresë që sa më shpejtë të trajtohen. Bashkëpunimi është korrekt, jemi të hapur me gjitha kapacitetet për të ndihmuar hetimin, sepse kjo që ka ndodhur është vetëm pjesa administrative, pasi manipulimi, përfshirja në kurdisje dhe kurdisjet e ndeshjeve është vepër penale. Kështu që për të dyja rastet jam në kontakt të rregullt me organet e rendit. Dhe mes me shpresë t’i zgjidhim ato. Jo për efektin sanksionues ndaj kryerësve aq sa për efektin parandalues ndaj gjithë atyre që mund t’u shkojë mendja t’i hyjnë kësaj pune”, ka thënë Fetahu.
FIBA në fakt kishte nisur hetimet ndaj Daut Mehmetit një vit më parë. Prej kur FIBA kishte nisur me hetime, FBK-ja e kishte suspenduar atë. Dyshohet për të paktën edhe një njeri të basketbollit nga Kosova të përfshirë në këtë rrjet. Bashkëpunimi i ofruar, sipas Fetahut do të merret model nga FIBA.
“Kanë thënë se do të na marrin edhe si shembull për bashkëpunim kur kemi situate të tilla dhe cilat hapa duhet të merren, në cilën fazë, për të siguruar që bashkëpunimi të dërgoj deri te rezultati i duhur. Rezultati i duhur është zbulimi i atyre të cilët kanë kryer vepra dhe parandalimin e veprave të tilla për të ardhmen”, ka thënë ai.
Dyshohet për një rrjet të përfshirjes në kurdisjen e ndeshjeve të basketbollit. Baste në ndeshje të kurdisura janë vënë deri në Kinë. Përfitimet ilegale vlerësohet se janë të mëdha.