Derisa hetimet e institucioneve të vendit duket se kurrë nuk do të përfundojnë, organizatat ndërkombëtare të sportit konfirmojnë përfshirjen e njerëzve të sportit nga Kosova në aktivitete ilegale. Një goditje e rëndë erdhi këtë javë nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA).
FIBA ka përjashtuar përjetë nga basketbolli arbitrin Daut Mehmeti. Mehmeti për dy dekada ishte arbitër i basketbollit, ndërsa për të paktën një dekadë ishte prej arbitrave kryesorë në vend. Gjatë karrierës së gjatë ai ka drejtuar edhe ndeshje të FIBA-s e po ashtu shumë ndeshje në Ligën Ballkanike. Në Kosovë ka drejtuar qindra ndeshje basketbolli.
Pikërisht për ndeshje të Ligës Ballkanike, dhe jo vetëm, Mehmeti është suspenduar përjetë. Një masë të tillë FIBA e merr në raste të rralla, kur akuzat janë të rënda. Dhe natyrisht të vërtetuara. Mehmeti ka bërë shkelje të Kodit të Etikës dhe integritetit, basteve dhe manipulimit të garave, sipas vendimit të publikuar në sajtin zyrtar të FIBA-s.
Pra, Mehmeti është përjashtuar nga basketbolli për baste ilegale dhe kurdisje të ndeshjeve. Këto shkelje shpesh bëhen bashkë. Të përfshirët kurdisin një ndeshje, me vendime të tyre apo me forma të ndryshme, në mënyrë që të përfitohen para nga bastet e vendosura.
Në FBK, në kushte anonimiteti, kanë pranuar se dënimi i Mehmetit është njollë e madhe për basketbollin kosovar në përgjithësi. Ai ka një vit që nuk ka referuar ndeshje. Pasi FIBA po hetonte ndaj Mehmetit, FBK-ja e pezulloi.
FBK-ja nuk ka dalë me ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me përjashtimin e anëtarit të derivonshëm të saj. Por kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka konfirmuar se vendimi do të zbatohet edhe në Kosovë.
“E kemi pranuar këtë njoftim dy ditë më parë dhe do ta zbatojmë natyrisht. Më shumë nuk mund të komentoj”, ka thënë Fetahu për KOHËN.
Burime të KOHËS kanë konfirmuar se i dyshimtë për përfshirje është të paktën edhe një person nga Kosova. Natyrisht, pjesë e basketbollit. Por burime nga FBK-ja kanë mohuar që i dyshuari tjetër të jetë gjyqtar i basketbollit.
“Është e vërtetë që dyshohet për një rrjet të përfshirjes nga disa vende. Është edhe një i dyshuar nga Kosova, por jo gjyqtar”, kanë thënë burime të KOHËS.
Në prill të vitit të kaluar Mehmeti ka drejtuar ndeshjen e fundit në Ligën Ballkanike. Ishte një ndeshje e Maccabit izraelit. Ai kishte drejtuar shumë ndeshje të Maccabit në Ligën Ballkanike, ndërsa skuadra izraelite i kishte fituar të gjitha. Ndeshjet i kishte drejtuar me gjyqtarë nga vendet e rajonit, por dy prej tyre edhe me Elldin Uglarin, tjetër gjyqtar nga Kosova.
Ka shumë vjet që dyshohet se shumë ndeshje të Ligës Ballkanike janë të dyshimta. Rezultati në shumë prej tyre, mënyra se si funksionon kjo ligë, organizimi i ndeshjeve në salla të ngjashme me ato të shkollave, vetëm sa kanë rritur dyshimet. Ka pasur dyshime jo vetëm për kurdisjen e rezultatit përfundimtar, por edhe kufizimin e pikëve që shënohen në një çerek e për gjëra të tjera për të cilat mund të vendosen baste. Bastet kryesisht dyshohet se janë vendosur në vende të tjera, kryesisht të largëta.
Por jo vetëm për Ligën Ballkanike ka pasur dyshime për kurdisje. Të dyshimta ishin edhe shumë ndeshje të Superligës së Kosovës, pastaj të Ligës Unike e të ligave të tjera kosovare. Por nuk ka pasur të dënuar deri më tani.
Dënimi ndaj Mehmetit është më i rëndi që ka ardhur për një person të sportit kosovar nga asociacionet ndërkombëtare sportive.
Federata e Basketbollit e Kosovës më herët në mënyrë indirekte kishte shprehur dyshime në korrektësinë e Ligës Ballkanike, garë që ka humbur thuajse plotësisht vlerën garuese. Ishte distancuar thuajse plotësisht prej saj. Por klubet kosovare kanë vazhduar të garojnë në Ligën Ballkanike e gjyqtarët kosovarë të drejtojnë ndeshjet e saj. Duke përfshirë Mehmetin.
Pos basketbollit, shumë i goditur nga kurdisjet vlerësohet të jetë edhe futbolli kosovar. Dy ndeshjet vendimtare të xhiros së fundit të Superligës ishin shumë të dyshimta. U paralajmërua nisja e hetimeve, por ende nuk ka asnjë masë. Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, por pa pasoja, pa fajtorë të shpallur.
Ndeshjet Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina ishin skajshmërisht të dyshimta. Sidomos pas vonesave të paarsyeshme që bëheshin për të përcjellë rezultatin në ndeshjen tjetër dhe golit më se qesharak të pranuar nga portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, në minutën e 105-të.
Skuadra të tjera kanë qenë të dyshuara për kurdisje e po ashtu lojtarë. Madje lojtarë kosovarë të dyshimtë për kurdisje ishin edhe në vende tjera, si në Suedi.
Nga Franca muaj më parë erdhën akuza të rënda për Llapin. Për dyshimet ndaj Llapit kishte raportuar edhe Interpoli. Por deri më tani nuk ka ndonjë vendim.
Dyshime për kurdisje ka edhe në kategoritë e reja, që vlerësohet goditje edhe për të ardhmen. Ndërkohë ka pasur dyshime e akuza për kurdisje edhe në hendboll.
Dhe, derisa institucionet e Kosovës kërkojnë argumente dhe kryesisht vetëm nisin hetime, FIBA mori vendimin e parë për kurdisjet ku janë të përfshirë kosovarët. Dënimi për Mehmetin është i rëndë e po ashtu goditja për sportin kosovar në përgjithësi, basketbollin në veçanti.