Sport

Rahoveci e Liga Ballkanike nuk deklarohen për kurdisjet

Klubi i basketbollit Rahoveci dhe Liga Ballkanike në basketboll (BIBL) nuk janë deklaruar lidhur me kurdisjen e rezultateve. KOHA u ka shkruar drejtuesve të Rahovecit dhe po ashtu drejtuesve të Ligës Ballkanike, por nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë, nuk ka asnjë postim nga Rahoveci apo BIBL.

Arbitri kosovar i basketbollit, Daut Mehmeti, është përjashtuar javën e kaluar përjetë nga basketbolli. Vendimin e mori FIBA me arsyetimin se Mehmeti ishte i përfshirë në kurdisje të ndeshjeve dhe baste ilegale. Mehmeti, që ka një vit që ishte i pezulluar nga Federata e Basketbollit e Kosovës, ka mohuar akuzat. Ka thënë se është dënuar pa fakte, ndërsa ka paralajmëruar ankesë. Por vendimi i FIBA-s është i plotfuqishëm dhe do të zbatohet edhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Nga dosja e FIBA-s për Mehmetin është kuptuar se Federata Ndërkombëtare e Basketbollit i vlerëson të kurdisura të paktën tri ndeshje të Ligës Ballkanike. Në të tri ndeshjet ka referuar Daut Mehmeti dhe arbitri nga Mali i Zi, Ognjen Jokiq. Ai po ashtu është i dënuar nga FIBA, por vetëm deri më 7 gusht.

Ishte organizata “Sportradar” që kishte evidentuar si të dyshimta ndeshjet e vitit të kaluar të luajtura në kuadër të Ligës Ballkanike, TFT – Balkan dhe Maccabi Haifa – Balkan. Për ndeshjen e parë ishin vënë baste jo tipike që skuadra nga Shkupi, TFT të pësonte me të paktën 15 pikë dallim. Në fund kjo edhe ndodhi. Balkani i Bullgarisë fitoi 97:82. Në raportin e “Sportradar” shkruan se bastvënësit e kanë ditur më herët se TFT-ja do të humbte me të paktën 15 pikë dallim.

Ndërkohë për ndeshjen Maccabi Haifa – Balkan Botevgrad, bastvënësit e kanë ditur se do të kryhet me fitoren prej të paktën 14 pikëve të skuadrës izraelite. Rezultati në fund ishte 92:78 për Balkanin.

“Kjo ndeshje krijon një nivel të besueshëm shqetësimi lidhur me integritetin e saj për shkak të basteve të mëdha që Balkan Botevgrad të humbë me të paktën 14 pikë”, shkruan në raportin e “Sportradar” që merret me evidentimin e kurdisjeve dhe basteve ilegale.

Bastet janë vënë gjatë zhvillimit të ndeshjes, duke nisur nga çereku i parë. Kur po vendoseshin bastet e para, Ballkani ishte ekip më i mirë, por sipas vendimit të FIBA-s, dihej që do të pësonte në fund.

Sa i takon Rahovecit, ndeshje e kurdisur, nga FIBA është vlerësuar ajo e 26 shkurtit të vitit 2020. Rahoveci, që për trajner e kishte maqedonasin Marjan Ilievski, ishte duke udhëhequr 45:38 ndaj Ibarit të Rozhajës pas pjesës së parë. Në fund humbi 80:69.

Sistemi Universal i Zbulimit të Mashtrimeve i “Sportradar” e kishte identifikuar menjëherë ndeshjen si të dyshimtë. Rahoveci e kishte arsyetuar humbjen me mungesat që kishte në përbërje.

“Dëshmia e basteve tregon se bastvënësit kishin njohur të mëhershme për humbjen e ndeshjes nga Rahoveci”, shkruan në raport.

“Sportardar” kishte shkruar se të dyshimta janë klubet, duke përfshirë Rahovecin. Por FIBA ka përjashtuar përjetë Daut Mehmetin dhe nuk ka ndonjë njoftim që janë dënuar klubet.

Prej Federatës së Basketbollit të Kosovës vetëm kanë konfirmuar se kanë pranuar vendimin për Daut Mehmetin dhe se do ta zbatojnë atë. Ndërkohë nuk kanë dashur të komentojnë më shumë.

KOHA i është drejtuar me pyetje edhe Prokurorisë, por nuk ka pranuar ende përgjigje.