Sport

Maccabi – Balkan, TFT – Balkan, dy prej ndeshjeve për të cilat u përjashtua Daut Mehmeti

Më 17 mars të vitit të kaluar në Shkup u takuan skuadrat TFT e Shkupit dhe Balkan nga Bullgaria. Ognjen Jokiq, Haris Bijediq dhe Daut Mehmeti ishin gjyqtarë. Balkani fitoi me rezultat 97:82. Pra me 15 pikë dallim.

Në pamje të parë ishte një ndeshje e zakonshme e Ligës Ballkanike në basketboll. Megjithatë nuk ishte shumë e zakonshme. Kishte dyshime që ishte e kurdisur. Dhe me shumë mundësi është konfirmuar se ishte e kurdisur. Është njëra prej ndeshjeve për të cilat arbitri kosovar i basketbollit, Daut Mehmeti, është përjashtuar përjetë. Vendimin e mori FIBA javën e kaluar.

Ndeshja është detektuar nga sistemi universal i organizatës “Sportradar”. Praj majit të vitit të kaluar, marrëveshje me “Sportradarin” ka edhe Federata e Basketbollit e Kosovës. “Sportradar” monitoron ndeshjet përmes “Sistemit Universal të Zbulimit të Mashtrimit”, që identifikon bastet jotipike dhe të dyshimta. Në bazë të këtij sistemi është identifikuar ndeshja TFT – Balkan Botevgrad.

Në raportin e “Sportradar”, që e posedon KOHA, shkruan që ka prova të qarta që elemente të kësaj ndeshjeje ishin manipuluar me synim për të fituar nga bastet. Sipas raportit, bastvënësit kishin njohuri paraprake se skuadra TFT do të pësonte me të paktën 15 pikë dallim.

Në raport është shkruar se si kanë lëvizur bastet në mënyrë të dyshimtë gjatë rrjedhës së ndeshjes. Bastet e vëna për rezultatin e ndeshjes ishin në kundërshti me pritjet logjike. Në raport shkruan po ashtu se TFT ishte i përfshirë në dy ndeshje të mëhershme të dyshimta. Në fund të raportit shkruan se KK TFT Skopje është potencialisht i përfshirë në manipulimin e ndeshjes.

Por sipas FIBA-s, të përfshirë ishin edhe arbitrat. Daut Mehmeti është dënuar përjetë. Ndërsa Ognjen Jokiq nga Mali i Zi, më herët është suspenduar për pesë muaj për refuzim për të bashkëpunuar me hetimin e FIBA-s. Ai është i suspenduar deri më 7 gusht 2023. Ka dyshime që Jokiq është shumë i përfshirë.

Maccabi Haifa – Balkan Botevgrad është tjetër ndeshje e dyshimtë, në bazë të së cilës është përjashtuar përjetë Daut Mehmeti. Kjo ndeshje u luajt më 14 janar të vitit të kaluar. Ishte zhvilluar në Botevgrad të Bullgarisë. Skuadra izraelite, Maccabi, kishte fituar 92:78 ndaj Balkanit bullgar. Arbitra të saj ishin malazezi Jokiq, kosovari Daut Mehmeti dhe Milosav Kalugjeroviq i Malit të Zi.

“Kjo ndeshje krijon një nivel të besueshëm shqetësimi lidhur me integritetin e saj, për shkak të basteve të mëdha që Balkan Botevgrad të humbë me të paktën 14 pikë”, shkruan në raportin tjetër të “Sportradar”.

Bastet janë vënë gjatë zhvillimit të ndeshjes, duke nisur nga çereku i parë. Kur po vendoseshin bastet e para, Balkani ishte ekip më i mirë. Në raportin e detajuar shkruan që ka shenja që Balkani mund të ketë qenë i përfshirë në manipulim të ndeshjes. Por, sipas FIBA-s, të përfshirë ishin edhe gjyqtarët. Është një tjetër ndeshje për të cilën Daut Mehmeti është përjashtuar përjetë.

Përjashtimi i Daut Mehmetit nga basketbolli është dënimi më i rëndë që asociacionet ndërkombëtare të sportit kanë marrë ndaj njerëzve të sportit nga Kosova.

Daut Mehmeti ka mohuar përfshirjen. Ka pretenduar se është dënuar pa fakte. Ka paralajmëruar ankesë për të “pastruar emrin e tij”.

Mehmeti për dy dekada ishte gjyqtar i basketbollit. Madje për rreth një dekadë prej kryesorëve në basketbollin kosovar. Ka drejtuar edhe ndeshje të FIBA-s e po ashtu shumë ndeshje të Ligës Ballkanike. Në basketbollin kosovar ka drejtuar qindra ndeshje, dhjetëra prej tyre vendimtare.

Ka dyshime që në kurdisje ishte i përfshirë një rrjet i tërë, duke mos përjashtuar gjyqtarët nga Mali i Zi. Baste për ndeshjet në fjalë janë vënë edhe në Kinë e po ashtu në vende të tjera. Të paktën edhe një person i basketbollit nga Kosova është hetuar. Është i përfshirë të paktën edhe një klub nga Kosova.

Dhe tashmë është konfirmuar se Liga Ballkanike është shumë e dyshimtë për korrektësinë e ndeshjeve. Mënyra se si funksionon kjo ligë vetëm sa rrit dyshimet. FBK-ja ka kohë që është distancuar prej saj.