Ish-trajneri i Ermal Krasniqit te Cluji rumun, Dan Petrescu, e do futbollistin e Kosovës te skuadra e Jeonbukut, në elitën e futbollit të Koresë së Jugut.
Trajneri Petrescu këtë verë u largua nga Cluji dhe nënshkroi kontratë me skuadrën jugkoreane.
Dhe menjëherë ka nisur kontaktet për transferimin e 24-vjeçarit Krasniqi, i cili te Cluji u transferua në janar të këtij viti.
Kërkesën e Petrescut për Krasniqin e ka konfirmuar të enjten presidenti i Clujit, Ioan Varga.
Ai ka thënë se secili lojtar i Clujit mund të largohet nga skuadra, nëse mbërrin oferta e kërkuar nga klubi.
Çmimi aktual i Krasniqit sipas faqes “transfermarkt” është 1.4 milionë euro.
“E kam thënë edhe më parë, për një çmim të mirë secili lojtar i yni mund të transferohet diku. Krasniqi është futbollist që Petrescu e vlerëson shumë. Madje, ai e ka kërkuar atë në fillim apo jo? Kam folur me të dhe më ka thënë se një lojtar që e ka te skuadra është i lënduar dhe po e mendon zëvendësimin e tij me Krasniqin. Mund të arrihet marrëveshja nëse vjen oferta që i përshtatet të gjithëve”, ka deklaruar Ioan Varga, shkruan “Digisport.ro” të enjten.
Për Krasniqin është raportuar se interesim ka pasur edhe nga elita e futbollit të Arabisë Saudite, saktësisht nga skuadra Al-Riyadh.
“Prosport.ro” kishte shkruar se Krasniqi mund të jetë përkrah yjeve si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema, N’Golo Kante, Kalidou Koulibaly, Roberto Firmino e Edouard Mendy në elitën arabe.
Krasniqi me Clujin ka shënuar pesë gola dhe pati dy asistime.