Mesfushori Philippe Coutinho do të jetë pjesë e skuadrës së Barcelonës, të paktën deri në fund të këtij sezoni.
“Mundo Deportivo” ka shkruar të martën se Coutinho ka refuzuar largimin nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi është i vendosur të mbetet në ekip deri në verë. Mësohet se Coutinho është i bindur se me Xavi Hernandezin si trajner, mund ta rikthejë formën e tij të mëparshme dhe për këtë arsye ka njoftuar drejtuesit e klubit se nuk e ka ndërmend të largohet nga “Camp Nou”.
Braziliani iu bashkua Barcelonës në vitin 2018 nga Liverpooli për 130 milionë euro, por asnjëherë nuk ka bindur me paraqitjet e tij.
Ai para fillimit të këtij edicioni u kthye te Barcelona pas huazimit njëvjeçar te Bayerni, dhe ka shënuar një gol në 11 ndeshje. Mesfushori 29-vjeçar ka kontratë me Barçën deri në vitin 2023.