Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Conte ndihet keq që lufta në Ukrainë ka përfshirë sportistët rusë

Trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte ka shprehur simpatinë e tij për sporsitët rusë, të cilëve u është ndaluar pjesëmarrja në garat e sporteve të nivelit të lartë si rezultat i pushtimit të Ukrainës nga vendi i tyre.

Rusia është goditur me sanksione të rënda pas vendimit të Vladimir Putin për të nisur një luftë, me botën e sportit që ka marrë një qëndrim veçanërisht të fortë.

Sportistët rusë janë ndaluar të garojnë në Lojërat Paralimpike, përfaqësuesja e futbollit është përjashtuar nga plejofi i Botërorit “Katari 2022”, ndërsa tenistët, përfshirë numrin një të botës te meshkujt Daniil Medvedev, janë detyruar të garojnë nën një flamur neutral.

Ndërsa Conte ka shprehur tmerrin e tij për luftën dhe veprimet e Rusisë, ai thotë se ndikimi mbi yjet e sportit është “shumë i trishtuar” duke pasur parasysh përkushtimin që duhet për të arritur në nivelin më të lartë.

“E përsëris, është shumë e trishtueshme që kjo situatë serioze, kjo luftë midis Rusisë dhe Ukrainës, po ndikon në futbollin dhe botën sportive”, tha ai.

“Të dish që sportistët rusë janë të ndaluar nga garat është shumë e trishtueshme. Unë mendoj se nuk është e drejtë. Sinqerisht, shpresoja se situata do të zgjidhej, sepse po krijon shumë dëme. Jemi në vitin 2022 dhe të shohësh këtë është e tmerrshme për të gjithë”, tha Conte.