Trajneri italian i Tottenhamit, Antonio Conte, ka thënë se do të dëshironte ta kishte nën urdhrat e tij përsëri Christian Eriksenin.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë para ndeshjes që Tottenhami do ta ketë të mërkurën kundër Manchester Unitedit, në kuadër të javës së 12-të të Premier Leagues së Anglisë.
“Eriksen është një lojtar me të cilin më pëlqeu të punoja dhe një lojtar që do të doja ta stërvitja sërish, ta kisha në skuadrën time. Por, tregu i transferimeve është shumë i vështirë dhe mendoj se ai bëri një zgjedhje të madhe për të shkuar te Unitedi dhe për të nënshkruar kontratë trevjeçare. Uroj më të mirën për të dhe familjen e tij, përveç ndeshjes kundër nesh dhe më pas pjesa tjetër e sezonit të jetë më e mirë për të”, ka thënë Conte.
Conte dhe Eriksen kanë qenë së bashku edhe te Interi, ndërsa Tottenhami ishte ndër klubet më të interesuara për ta pasur në skuadër.