Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, pret një fytyrë tjetër të Atletico Madridit në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Tekniku spanjoll ka thënë se City do të dalë në fushë për ta eliminuar Atleticon, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë, sidomos në stadiumin “Wanda Metropolitano”.
Ndeshja e kthimit mes Atleticos e Cityt zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00.
City ka avantazhin 1:0 prej ndeshjes së parë, por kjo ka pak vlerë për Guardiolan, i cili është i bindur se Atletico nuk do të mbrohet por do të sulmojë. Pas humbjes javën e shkuar në Manchester, ekipi nga La Liga u kritikua shumë për qasjen defensive. Madje Atletico nuk e pati asnjë tentim përgjatë 90 minutave, por te City presin paraqitje krejtësisht tjetër të skuadrës së Diego Simeones në Madrid. Për këtë Guardiola ka paralajmëruar lojtarët e tij.
“Atletico luan në shtëpi dhe ka përkrahjen e tifozëve. Me sa e di unë, kur Atletico luan në shtëpi atëherë të nxjerr telashe, sepse bëhet ekip agresiv që insiston tërë kohën të shënojë gol. Edhe nëse dominon ndaj lojtarëve të Atleticos, ata do të mbrohen dhe do të përpiqen të ndëshkojnë me kundërsulme. Do të ketë minuta kur ata do të jenë më agresivë dhe do të na bëjnë presion, por ne duhet të përpiqemi të mbrohemi dhe ta kontrollojmë situatën”, ka thënë Guardiola të martën në konferencën për shtyp. “Në ndeshjen e parë ata u mbrojtën gjatë tërë kohës por nuk do ta bëjnë këtë edhe në ndeshjen e kthimit, për këtë jam i sigurt”.
Ndonëse ka pranuar se do të jetë vështirë për Cityn, Guardiola ka insistuar se synim i skuadrës është ta fitojë edhe ndeshjen e kthimit dhe të kualifikohet në gjysmëfinale. Synimi i Cityt është që të kualifikohet në gjysmëfinalen e dytë rresht të Championsit. Edicionin e shkuar City jo vetëm që arriti në gjysmëfinale, por luajti edhe në finale që e humbi nga Chelsea me rezultatin 1:0.
“E kemi një rezultat të ngushtë, por synimi ynë është ta fitojmë edhe këtë ndeshje dhe të avancojmë tutje. Është e rëndësishme që kemi arritur deri këtu, por duam të shkojmë edhe më lart për shkak se kemi luajtur mirë në përgjithësi. Nuk besoj se ekipi është i lodhur, pasi tani duhet të japim vrapimin final dhe dua që secili lojtar ta bëjë dallimin në fushë, t’i ndihmoj tjetrit dhe të jetë yll”, është shprehur Guardiola. “Duhet ta përballojmë Atleticon fizikisht dhe të mbrohemi kur e kemi topin, sepse është e rëndësishme. Të gjithë duhet të luajnë së bashku dhe të funksionojnë si kolektiv në çdo repart”.
Guardiola për këtë ndeshje do ta ketë në dispozicion edhe qendërmbrojtësin Ruben Dias. Portugezi është lojtar i rëndësishëm i Cityt dhe është rikuperuar nga lëndimi që e mbajti për gjashtë javë jashtë fushës. Guardiola ka insistuar se ka besim të madh tek lojtarët e tij, të cilët pret ta fitojnë këtë ndeshje për ta eliminuar kampionin në fuqi të Spanjës.