Pasi refuzoi ofertat e Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit, Manchester City i ka ofruar kontratë të re Bernardo Silvas, raporton “Daily Mail” të hënën.
Mësohet se krerët e Cityt duan ta mbajnë më gjatë portugezin, i cili vlerësohet si njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm për trajnerin Pep Guardiola.
Ai ka kontratë aktuale me Cityn deri në vitin 2025, ndërsa me kontratën e re do të mbetej pjesë e kampionit të Anglisë deri në vitin 2027.
28-vjeçari është pjesë e Cityt prej vitit 2017, kurse këtë sezon ka një gol e një asistim në katër paraqitje në të gjitha garat.