Norvegjia e bëri sërish. Vendi me popullsi prej rreth 5 milionësh ka realizuar triumfin e saj katërvjeçar mbi pjesën tjetër të botës.
Norvegjia nuk ka arritur shifrën e 39 medaljeve që i kishte në lojërat olimpike dimërore “Pyeongchang 2018”. Por në Lojërat e Pekinit ka fituar më shumë medalje të arta. Katër vjet më parë Norvegjia kishte 14 të arta nga 39 medalje gjithsej. Në Lojërat e Pekinit, që përfunduan të dielën, ka fituar 16 medalje të arta e 37 gjithsej. Sërish e ka lënë prapa Gjermaninë, që ka 12 të arta e 27 gjithsej.
Gjermania ka popullsi 16 herë më të madhe se Norvegjia. Norvegjezët kanë fituar medalje të arta në biatlon, kërcime me ski, kombinim nordik, patinazh të shpejtë, “cross-country” dhe skijim në stil të lirë.
“Ne kemi ekip të fortë”, ka thënë Kjetil Jansrud, kampion në skijimin alpin. “Ne gjithnjë kemi pasur ekip të fortë”.
Më shumë se të fortë në fakt. Norvegjia tani është aq e suksesshme saqë është bërë fener i sporteve dimërore. Skitarët amerikanë, si ata të disiplinave alpine ashtu edhe ata në “cross-country”, kanë stërvitur me sportistët norvegjezë në të njëjtat male dhe akullnaja për vite të tëra.
Edhe
Përfundojnë Lojërat Olimpike Dimërore, Norvegjia e pakonkurrencë
Çdo vit Norvegjia merr 150 skitarë juniorë të “cross-country”, prej më të mirëve në botë, në një kamp për të mësuar teknikën dhe për të stërvitur me trajnerët më të mirë të këtij sporti. Norvegjia ka pasur partneritet me Britaninë për të zhvilluar teknologjinë e dyllit për skijimin nordik.
Gjatë katër vjetëve të fundit shumë vende kanë dërguar udhëheqës sportivë për të studiuar metodat e norvegjezëve. Natyrisht, metodat që trajnerët norvegjezë janë të gatshëm t’i ndajnë me të tjerët.
“Pasi e pamë se çka bëri Norvegjia në Pyeongchang, unë vetëm i kam thënë ekipit tim se do të shkojmë atje. I thashë se do të shkojmë për të parë se çka po ndodh atje”, kishte thënë Luke Bodensteiner, drejtor i mëhershëm i Asociacionit të SHBA-së për skijim dhe snoubord.
Dhe kështu Bodensteiner dhe drejtues të tjerë shkuan për vizitë në Norvegji.
Norvegjisë i duhet konkurrencë e fortë
Gatishmëria e Norvegjisë për të dhënë këshilla për konkurrentët mund të duket e çuditshme. Por, pos që dëshiron të fitojë, Norvegjia dëshiron lulëzim të sporteve dimërore. Dhe kjo ndodh vetëm nëse konkurrenca mbetet e fortë.
Bodensteiner dhe ekipi i tij u larguan nga Norvegjia pas një jave, të sigurt që çdo vend mund të ndërtonte një makinë sportive dimërore të stilit norvegjez. Por duheshin 30 vjet dhe një rishikim i plotë i sistemeve që zhvillojnë sportistët e rinj.
Ai natyrisht kishte dyshime se Norvegjia po mbante informatat më të vlefshme për vete.
Norvegjia ishte shumë më përpara se konkurrentët në zhvillimin e veshjeve aerodinamike për ski. Norvegjezët filluan me përdorimin e sensorëve GPS për të ndihmuar skitarët alpinë të gjenin vijën më të shpejtë në shpate. Skitë e norvegjezëve për “cross-country” janë më të shpejtat, si rezultat i testimeve e ritestimeve pa fund.
Derisa pjesa tjetër e botës ka ushtruar skitarët alpinë si sprinterët, duke u fokusuar në eksplozivitet, trajnerët norvegjezë janë zbuluar se garat e skijimit alpin janë më shumë si një vrapim në 3000 metra. Kështu që skitarët alpinë nisën të ushtrojnë më shumë si vrapues të shtigjeve të gjata, duke bërë ngasje të gjata të biçikletës dhe duke bërë stërvitje kreative aerobike në palestra.
Studimet sportive të Norvegjisë kanë nisur të shpaguhen edhe në sportet verore. Në Tokio 2020 Norvegjia fitoi medalje të arta në atletikë, në 400 metra me pengesa dhe në vrapim në 1500 metra.
Për Norvegjinë çdo gjë ndryshoi pas lojërave “Calgary 1988”, në të cilat sportistët norvegjezë fituan vetëm pesë medalje, asnjë prej tyre të artë. Ishte bilanc i papranueshëm për një vend ku fëmijët fillojnë të skijojnë në moshën kur fillojnë edhe të ecin.
“Olympiatoppen”
Norvegjia, që u transformua shpejt nga një vend me ekonomi të mesme të ndërtuar rreth peshkimit dhe bujqësisë në një vend të pasur me naftë, filloi të investonte para në “Olympiatoppen”, organizatën që mbikëqyr sportet elitare olimpike.
Edhe
Norvegjia më e suksesshmja në LOD “Pekin 2022”
Rritja sportive e Norvegjisë ka të bëjë edhe me dyfishimin e angazhimit në kuadër të Projektit për të Drejtën e Fëmijëve në Sport, që garanton dhe inkurajon çdo fëmijë në vend të ketë qasje në aktivitete sportive. Fokusi është pjesëmarrja dhe socializimi e jo gara.
Klubet lokale sportive të Norvegjisë financohen mirë. Ato ekzistojnë thuajse në secilën lagje e në secilin fshat. Por nuk mbajnë kampionate derisa fëmijët të mbushin 13 vjet.
Ngjarja më e madhe e skijimit, Festivali i Skive Holmenkollen, që ka filluar në vitin 1892, përfshin garë për skiatorët elitarë, por jo për të rinjtë. Fëmijët u bashkohen kurseve kur të duan, nuk ka kohë zyrtare për ta. Trajnerët profesionistë dhe prindërit vullnetarë i nënshtrohen trajnimit formal.
“Duket se ka shumë më tepër vëmendje për përfshirjen e të gjithëve”, thotë Atle McGrath, një skitar alpin norvegjez. Babai i 21-vjeçarit, Felix, garoi për SHBA-në në Lojërat Olimpike të vitit 1988.
“Pavarësisht nëse jeni i mirë apo jo, është përvojë e njëjtë për të gjithë”, ka shtuar ai.
Në Norvegji ka jetuar Jim Stray-Gundersen, një ish-kirurg e fiziolog. Ai është këshilltar i shkencës sportive në Asociacionin e SHBA-së për Ski dhe Snoubord. Babai i Gundersenit ka punuar si shkencëtar për ekipin olimpik të Norvegjisë.
Sipas Jim Stray-Gundersen, prioritet i Norvegjisë është të ndërtojë kulturë të shëndetit dhe ushtrimeve të rregullta. Niveli garues rrjedh prej kësaj.
“Ka të bëjë me mënyrën se si prodhoni kënaqësi psikologjike, mënyra të shëndetshme të jetës dhe sportistë të shkëlqyeshëm me kalimin e kohës. Është në kontrast me mënyrën se si e bëjmë këtë në SHBA”, ka thënë ai.
Fëmijët që nuk shfaqin ndonjë talent mbesin të përfshirë. Dhe disa prej tyre lulëzojnë si adoleshentë. Kjo ndodh shumë kohë pasi në vendet e tjera do të largoheshin nga sporti për mungesë niveli. McGrath, për shembull, nuk shkëlqeu deri në moshën 17-vjeçare.
“Shpirt norvegjez”
Norvegjezët po ashtu janë të prirë që të shijojnë jetën dhe aktivitetet në natyrë, si gjatë muajve të verës, kur ka rreze dielli për gati 22 orë, ashtu edhe gjatë dimrave të gjatë, të ftohtë e të errët.
Felix mCGrath, që u rrit në Vermont, SHBA, tha se djali i tij fillimisht tregoi afinitet për ski kur ishte tetë ose nëntëvjeçar. Ai kalonte orë të tëra duke bërë kërcime me ski në një kërcimore të bërë në pjesën e përparme të oborrit. Ai vazhdoi të luante futboll dhe bejsboll e po ashtu të provonte skijimin “cross-country”.
Vetëm në moshën 14-vjeçare ai e mori seriozisht skijimin alpin. Por rezultateve të tij iu kushtua pak rëndësi derisa bëri 16 vjet. Ndoqi një shkollë të veçantë publike për skiatorët aspirues.
“Atle ishte gjithnjë shumë i mirë, por nuk po fitonte në vazhdimësi”, thotë McGrath. “Ai disi qëndronte gjithnjë prapa më të mirëve. Por gjithnjë punonte më shumë që të bëhej më i mirë”.
Edhe
Tjetër medalje e artë për Norvegjinë
Atle McGrath nuk fitoi medalje në Pekin, por shfaqi një lloj shpirti norvegjez. Të mërkurën ai e huqi një portë në lëshimin e dytë në sllallom dhe u ndal. Në vend që të largohej nga gara, ai bëri dy hapa sipër në kodër, u kthye rreth portës dhe vazhdoi lëshimin. Vijën e finishit e kaloi 12 sekonda më ngadalë se lideri, por ngriti duart në shenjë triumfi.
Kjo në fund të fundit është ajo që norvegjezët e bëjnë në Lojërat Olimpike Dimërore.