Kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini, që veçse e ka konfirmuar largimin nga Juventusi, do t’i bashkohet skuadrës Los Angeles FC në ligën MLS në SHBA, kanë shkruar mediat në Itali të shtunën.
37-vjeçari do të largohet nga “zonja e vjetër” pas 17-të vjetësh, pas ndeshjes së tij të fundit me fanellën “bardhezi”.
Chiellini ka fituar nëntë tituj të Serie A me Juventusin, si dhe Kupën e Italisë në pesë raste. Ai po ashtu shkoi në finale të Ligës së Kampionëve dy herë.
Ka zhvilluar 560 ndeshje për “bianconerët”. Në këtë statistikë është në vendin e tretë, pas Alessandro Del Pieros dhe Gianluigi Buffonit.
Me Përfaqësuesen e Italisë ka luajtur në 116 ndeshje, ndërsa e fitoi Kampionatin Evropian 2020. Ishte kapiten i “azzurrëve”.