Selektori i Kosovës, Bernard Challandes, e ka vlerësuar lart potencialin e sulmuesit Lirim Kastrati. Ai në një intervistë për mediumin polak “WP SportweFakty” ka thënë se në futbollin e sotëm kërkohen lojtarë me tipare të Kastratit.
“Edhe pse kam parë lojtarë të këtij lloji në 40 vitet e punës time në futboll, ishin shumë pak prej tyre në këtë nivel shpejtësie. Në futbollin e sotëm kërkohen lojtarë të tillë. Unë kam qenë vetë mbrojtës dhe e di që një lojtar si Kastrati mund të jetë i vështirë për një mbrojtës. Përveç shpejtësisë, do t’i kushtoja vëmendje edhe pasimeve të tij. Ato mund të jenë vërtet shumë të mira. Besoj se Kastrati bëri gjënë e duhur që iu bashkua Legias. Sipas mendimit tim ishte koha e duhur për të ndryshuar klub. Ai kishte shumë konkurrencë në Dinamo dhe Legia është një klub i mirë. Më duket se liga polake është në një nivel të mirë, në fakt ndoshta edhe më e mirë se ajo kroate”, është shprehur Challandes.
Sulmuesi 22-vjeçar për Legian ka shënuar një gol në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Një gol të shënuar e ka edhe në 16 ndeshje për Kosovën.