Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes është ndarë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve në pjesën e parë, por jo edhe me të dytën. Madje, ka shtuar se do të ndryshonte shumë gjëra në pjesën e dytë. Kosova humbi nga Suedia të dielën në “Fadil Vokrri” me rezultatin 3:0, në kuadër të ndeshjes së parë kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”.
Kosova i pësoi dy gola në pjesën e parë, ndërsa të tretin në pjesën e dytë. “Do ta ndryshoja pjesën e dytë. Kemi zhvilluar dy ndeshje, pjesa e parë nuk ishte e keqe, kishim disa mundësi të mira. Luajtëm prapa me kurajo dhe ishte mirë. Kemi marrë dy gola të çuditshme. Kishim mundësitë tona përballë një kundërshtari të fortë. Pjesa e dytë nuk ishte aspak e mirë, nuk kishim besim dhe mendoj se ekipi pa zjarr”, ka thënë Challandes.
Ai ka shtuar se mbrojtësit e Kosovës e kanë pasur të vështirë të ndalin sulmet e suedezëve e aq më tepër të yllit, Zlatan Ibrahimoviq.
“Ishin pesë lojtar me gjatësi të madhe dhe ishte e vështirë për ne të ballafaqoheshim me ta sidomos kundër Ibrahimoviqit që nuk arritëm të ndalnim në lartësi. Faza defensive nuk ishte edhe aq keq përballë kësaj përfaqësuese të fortë. Ekipi luftoi, nuk mund të ankohem në këtë aspekt. Suedia ishte shumë e fortë për ne sot. E pamë që kishim ndryshuar mbrojtjen dhe mesfushën dhe nuk ishte situatë e lehtë për ne”, ka theksuar Challandes.
Kosova ndaj Spanjës do të luaj të mërkurën në Sevilla, në kuadër të ndeshjes së dytë. Por, Challandes ka thënë se nuk ka kohë për të ndryshuar në sistem të lojës.
“Problemi është se me cilin lojtar do të luajmë. Nuk është e lehtë të ndryshojmë ekip tani për tani. Por, ne duhet të jemi të qetë dhe ta përgatisim ndeshjen ndaj Spanjës. Edhe njëherë nuk mendoj se mund të ndryshojmë sistemin, ne mund të bëjmë një lojë të mirë vetëm nëse luajmë si ekip. Sistemi nuk është gjëja më e rëndësishme për ndeshjen e ardhshme”, ka thënë zvicerani Challandes.