Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Challandes pret paraqitje më të mirë ndaj Gjeorgjisë

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka insistuar se pret një paraqitje më të mirë të ekipit të tij ndaj Gjeorgjisë.

Challandes në konferencën për shtyp pranoi se aspak nuk ishte i kënaqur me atë që Kosova tregoi në fushë kundër Suedisë, kundërshtar prej të cilit humbi me rezultatin 3:0.

“Pas ndeshjes me Suedinë, më duhet të pranoj se nuk isha i kënaqur me paraqitjen e ekipit. Pati mungesë të dëshirës, por e kemi analizuar dhe tashmë kemi biseduar me lojtarët dhe pres që ndaj Gjeorgjisë të kemi dukshëm paraqitje më të mirë”, ka thënë Challandes.

“Synimi është që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve që nis vitin e ardhshëm”.

Po ashtu, Challandes ka thënë se edhe sulmuesi i krahut, Lirim Kastratiu do të jetë i gatshëm për duelin me Gjeorgjinë.

“Lirimi tani është gati, kjo është e qartë dhe do të jetë pjesë e ekipit. Ka stërvitur mirë dhe nuk ka dhimbje. Sa i përket formacionit ofensiv, ne jemi munduar gjithmonë të jemi ofensivë”, ka thënë Challandes duke insistuar se nuk e ka humbur aspak autoritetin në ekip.