Sport

Challandes i kënaqur me paraqitjen e Kosovës ndaj Guinesë

Përzgjedhësi Bernard Challandes e ka vlerësuar pozitive paraqitjen e Kosovës në ndeshjen miqësore kundër Guinesë, të cilën e humbi me rezultatin e ngushtë 2:1 në Antalia të Turqisë. Challandes pas ndeshjes ka thënë se Kosova pati në përgjithësi një paraqitje të mirë dhe ka shtuar se ka marrë një sinjal të mirë nga lojtarët për të ardhmen.

“Jam i kënaqur me punën e ekipit. Ishte një ndeshje e vështirë sepse përballë kishim një kundërshtarë të fortë, në mesin e ekipeve të forta të Afrikës. Kemi bërë punë të mirë si ekip, si kolektiv . Të gjithë kanë vrapuar dhe kanë dhënë më të mirën nga vetja . E kemi parë nivelin dhe nuk ishte lehtë për lojtarët tanë të kishim posedimin e topit apo të kishin raste të mira shënimi. Në përgjithësi, ekipi luajti ndeshje të mirë. Por për fitore është një çështje tjetër, pasi duhet të mbajmë më shumë topin. Në këtë ndeshje, mund të them se ishte paraqitje e mirë e të gjithë lojtarët. Mendoj se ata e kanë parë nivelin ndërkombëtar, intensitetin e lojës. Ishte një rast i mirë për të gjithë, dhe për mua që ti shoh disa lojtarë nga afër. E pranoj humbjen, sepse ishte miqësore. Por, mendoj se lojtarët kanë marrë një përvojë shumë të mirë dhe është një sinjal i mirë për të ardhmen”, ka thënë Challandes.