Sport

Challandesi përgëzon Kosovën për lojën e madhe

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka përgëzuar ekipin e tij për lojën e madhe që e tregoi ndaj Spanjës. Kosova u mposht 2:0 ndaj Spanjës në Prishtinë, në ndeshjen eliminatore të Botërorit “Katari 2022” në kuadër të Grupit B.

Challandes ka thënë se ka mbetur tejet i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij dhe ka insistuar se Kosova ka të ardhme.

Ai gjithashtu shtoi se nuk e bëri asnjë zëvendësim për shkak se ishte i kënaqur me ekipin që luajti në fushë ndaj Spanjës.

“Më duhet t’i them urime ekipit që luajti një lojë të madhe. Taktikisht ishim shumë të mirë, luajtëm mirë në mbrojtje dhe në përgjithësi. Ekipi tentoi të shënonte, luajti me kurajo por për fat të keq nuk shfrytëzuam rastet e mira që i patëm. Mendoj që jemi në rrugë të mirë pas paraqitjes së mirë ndaj Spanjës. Ekipi ka bërë një punë shumë të mirë dhe duhet të jemi krenar me këtë ekip”, është shprehur Challandes.

“Ne e kishim në skenar të mbrohemi kundër Spanjës dhe pastaj nëpërmjet kundërsulmeve të shënojmë. Patëm kundërsulme të mira, dhe jo shumë skuadra arrijnë të krijojnë tri apo katër raste kundër Spanjës. Aspak nuk u frikësuam dhe patëm paraqitje shumë të mirë ndaj një kundërshtari të fortë si Spanja”. Challandes gjithashtu shtoi se është i kënaqur me paraqitjet e Kosovës në ndeshjet e muajit shtator, por jo edhe me rezultatet. Ai tha se ekipi i ka pëlqyer edhe mentaliteti i ekipit dhe kjo është një shenjë se Kosova po përparon nga ndeshja në ndeshje.

“Duhet të jemi të kënaqur dhe ta përgëzojmë ekipin për atë që tregoi”, është shprehur Challandes, që insistoi se do të mbetet në krye të Kosovës. “Jam i lumtur me ekipin dhe kam kënaqësinë që punoj me këtë ekip. Mendoj se jemi duke e bërë një punë të mirë së bashku. Jam këtu për ta bërë punën time dhe ndihem krenar”.