Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, e ka vlerësuar speciale dhe shumë të vështirë përballjen me Përfaqësuesen e Spanjës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Challandes ka pranuar se Spanja është shumë e fortë. Sipas tij, jo vetëm Kosova, por çdo përfaqësuese botërore ka telashe të përballet me ekipin e Luis Enriques, i cili bazohet në posedimin e topit gjatë tërë ndeshjes.
Dueli ndërmjet Kosovës dhe Spanjës zhvillohet sot prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon Grupit B kualifikues.
“Ndeshja me Spanjën është speciale dhe shumë e vështirë. Nëse do të varej prej meje do të kërkoja nga FIFA që Spanjën mos ta kemi asnjëherë në grupe. Por, ta lëmë shakanë anash, pasi Spanja është një kundërshtare shumë e fortë. Ka posedimin e topit, presingun e madh dhe çdo kundërshtar ka telashe të mëdha ndaj saj. Por, edhe ne duhet ta provojmë këtë sikurse ekipet tjera”, ka thënë Challandes, i cili ka kërkuar që mos ta pyesin për formacionin kundër Spanjës.
“Ndeshje speciale, sepse kundër Spanjës duhet të mbrohemi, jo vetëm Kosova, por edhe Italia, Kroacia e skuadrat tjera. Dhe, nëse mbrohemi mirë, nëpërmjet ndonjë tranzicioni të shpejtë të provojmë të shënojmë dhe të marrin një rezultat të mirë. Të them se do të fitojmë është shumë vështirë, por duhet të përpiqemi. Për Kosovën është me rëndësi që të ketë një paraqitje të jashtëzakonshme, sepse nuk është ndeshje e thjeshtë, është speciale”.
Për ndeshjen me Spanjën, Challandes nuk do të llogarisë në mesfushorin Besar Halimi e sulmuesin e krahut, Lirim Kastrati. Të dy janë të pezulluar për këtë ndeshje shkaku i kartonëve të verdhë. Megjithatë, ai nuk është i sigurt nëse do t’i ketë në dispozicion edhe Valon Berishën e Elbasan Rashanin, të cilët kanë marrë nga një goditje në ndeshjet e fundit dhe nuk dihet nëse do të jetë të gatshëm për duelin me Spanjën. Ndërkohë, portieri i tretë, Visar Bekaj, është ende i infektuar me koronavirus dhe nuk do të jetë pjesë e “Dardanëve” për duelin e së mërkurës.
“Visar Bekaj nuk ka mundësi të jetë me ne sepse është pozitiv me koronavirus. Sa i përket Valon Berishës dhe Elbasan Rashanit do të shohim në stërvitje. Dhe, vetëm pas stërvitjes do të marrim një vendim për ta sa i përket duelit me Spanjën. Nuk është lehtë aspak, sidomos pa Besar Halimin e Lirim Kastratin të suspenduar. Shpresoj që Berisha e Rashani të jenë në dispozicion. Por, do të shohim pas stërvitjes së çka do të vendosim”, ka pranuar Challandes.
Kosova në këtë ndeshje futet pas fitores në udhëtim ndaj Gjeorgjisë (1:0) dhe barazimit në shtëpi me Greqinë (1:1), derisa Spanja u mposht nga Suedia (2:1) dhe triumfoi bindshëm ndaj Gjeorgjisë me shifrat 4:0.
Spanja i prin grupit me dhjetë pikë, një më shumë se Suedia që ka edhe dy ndeshje më pak të luajtura. Kosova është e treta me katër pikë, duke lënë pas vetes Greqinë (3) dhe Gjeorgjinë (1).
Challandes ka pranuar se ndaj Spanjës, Kosova duhet të mbrohet gjatë tërë kohës dhe të përpiqet që nëpërmjet tranzicioneve të shpejta të dalë përpara dhe eventualisht të shënojë gol.
“Në përballje me kundërshtar si Spanja nuk mund të vendosim se çka të bëjmë dhe ta implementojmë lojën tonë në fushë. Ne do të duhet të mbrohemi gjatë tërë kohës, normalisht do të provojmë të dalim dhe të krijojmë aksione kur e kemi topin, por kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. Një gjë të tillë ndaj Spanjës nuk mund ta bëjë asnjë ekip në botë, sepse është shumë vështirë. Duhet të përfitojmë nga momentet kur e kemi topin. Sa i përket vendosjes taktike, as më ofensiv, e as me defensiv, se në dy ndeshjet e para. Por, është e qartë se Spanja është kundërshtar i një niveli shumë më të lartë sesa Greqia e Gjeorgjia”, ka pranuar Challandes. “Po ashtu shpresoj që edhe lojtarët janë gati për këtë ndeshje speciale dhe pres një paraqitje të mirë”.
Edhe mbrojtësi i krahut, Florent Hadërgjonaj, e ka cilësuar të madhe përballjen me Spanjën. Madje, e ka quajtur një ndeshje shumë të rëndësishme. Hadërgjonaj beson se Kosova do të jetë gati për ta dëshmuar veten edhe kundër Spanjës, dhe pse jo, të shkruajë historinë. Ai ka pranuar se Spanja mbetet favorite, por ka insistuar se Kosova nuk do të dorëzohet për asnjë moment. Në ndeshjen e parë, të luajtur në Sevilla, Spanja pati triumfuar ndaj Kosovës me rezultatin 3:1.
“Ndeshje e rëndësishme, shumë e madhe. Na pret dueli me Spanjën, ekipin më të mirë në botë ndër vite. E kemi parasysh se është një ndeshje e jashtëzakonshme, po e presim me padurim. Mund ta tregojmë veten si ekip dhe besoj se do të jemi gati për këtë duel. Spanja ka shumë cilësi dhe këtë e dinë të gjithë. Është një ndeshje e madhe, ne e kemi rastin pasi luajmë në shtëpi dhe dëshira është të bëjmë diçka historike. Shpresoj të jemi të përgatitur mirë dhe si ekip të bëjmë diçka historike kundër Spanjës”, ka thënë Hadërgjonaj.