Kosova të dielën prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përballet me Greqinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Kjo ndeshje i takon Grupit B, kurse Kosova do të jetë maksimalisht e motivuar pas fitores që e arriti të enjten në udhëtim ndaj Gjeorgjisë (1:0).
Për këtë ndeshje, Bernard Challandes nuk do ta ketë të gatshëm portierin Visar Bekaj që është infektuar me COVID-19 dhe me shumë gjasë nuk do të jetë i gatshëm Elbasan Rashani, për shkak të një lëndimi të vogël.
Rashani pritet të zëvendësohet nga Milot Rashica, ndërsa i vetmi dyshim është te Besar Halimi, i cili nuk dihet nëse do të startojë.
Greqia zë vendin e katërt në grup me dy pikë, një më pak se Kosova që është e treta dhe ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Grupit i prin Suedia me nëntë pikë, ndërsa Spanja është e dyta me shtatë pikë të mbledhura. Pas ndeshjes me Greqinë, Kosova e pret në Prishtinë edhe Spanjën të mërkurën e ardhshme.
