Sport

Javë vendimtare për Kosovën

Nuk është përjetuar lehtë humbja e Kosovës nga Greqia, të dielën mbrëma, në “Fadil Vokrri”. Kosova humbi 1:0 ndeshjen e parë në shtëpi në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Në rrjetet sociale ka pasur shumë kritika, por edhe fyerje për lojtarët pas paraqitjes së zbehtë ndaj Greqisë. Si zakonisht nuk është amnistuar as përzgjedhësi Alain Giresse.

Stadiumi në Prishtinë ishte i mbushur me shikues, por përkrahja nga tribunat nuk kreu punë këtë herë. Dhe entuziazmi që u ngjall pas fitores së arritur të enjten ndaj Qipros ra menjëherë.

Ndonëse janë luajtur vetëm dy ndeshje, Kosova është goxha prapa në garë për pozitën e parë në grup. Saktësisht tri pikë. Vendi i parë në grup vazhdon të mbetet synim i Kosovës, të paktën publikisht. Vendi i parë mundëson kalimin në Ligën B në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Për më tepër, ofron vend në plejofin për kualifikim në Evropianin e vitit 2024. Fituesit e katër grupeve luajnë mes vete për biletën që dërgon në Evropianin e ardhshëm. Liga e Kombeve është rrugë e shkurtër për kualifikim në Evropian. Për Kosovën, por edhe për përfaqësueset e tjera që paraqiten në Ligën C (niveli i tretë i Ligës së Kombeve), kualifikimi përmes kualifikimeve të rregullta vlerësohet shumë më i vështirë.

Kjo javë pritet të jetë vendimtare për garën në Grupin D të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Të enjten janë ndeshjet Kosova – Irlanda e Veriut dhe Greqia – Qipro. Ndërkohë të dielën janë ndeshjet Greqia – Kosova dhe Irlanda e Veriut – Qipro.

Me shumë mundësi këto ndeshje do të përcaktojnë goxha shumë, nëse jo plotësisht, garën në grup. Grekët llogaritin në fitore ndaj Qipros, që të dielën barazoi në udhëtim me Irlandën e Veriut për pikën e parë në grup. Me fitore eventuale Greqia do t’i ketë nëntë pikë. Ndërkohë edhe Kosova llogarit në fitore ndaj Irlandës së Veriut. Fitorja në fakt vlerësohet rezultati i vetëm i pranueshëm për të mbetur në garë për vendin e parë.

Në rast të fitoreve të Greqisë dhe Kosovës të enjten, ndeshja vendimtare do të jetë ajo që të dielën luhet në Volos në mes të Greqisë dhe Kosovës. Me fitore grekët do të rritnin në gjashtë diferencën e pikëve ndaj Kosovës dhe me shumë mundësi do të siguronin vendin e parë në grup.

Në një skenar të tillë, ndeshjet e shtatorit do të ishin pa ndonjë vlerë të madhe. Por tifozët e Kosovës shpresojnë në fitore ndaj Irlandës së Veriut të enjten dhe në rezultat pozitiv ndaj Greqisë në udhëtim, ndonëse gjendja te përfaqësuesja vlerësohet larg prej asaj të dëshiruar.

Kosovës të enjten i mungojnë Fidan Aliti e Arijanet Muriq, që u ndëshkuan me kartonë të kuq të dielën. Mërgim Vojvoda ka lënë grumbullimin për shkak të lëndimit, ndërsa Florent Hadërgjonaj nuk është grumbulluar fare. Këtë grumbullim e ka kapërcyer edhe Elbasan Rashani.

Te Kosova ka ende shumë lojtarë në konkurrencë, por forma e tyre në ndeshjen ndaj Greqisë dhe në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Qipros ishte larg prej pritjeve. Ndaj Greqisë ka munguar rreziku i zakonshëm që vjen nga krahët, ndërsa edhe mesfusha shpesh ka humbur betejën me grekët.

Sulmuesi Vedat Muriqi ka pranuar pas ndeshjes që kanë munguar aksionet për gol. Indirekt është ankuar që nuk ka pasur topa të mjaftueshëm për të në zonë.

“Besoj se nuk e kemi merituar humbjen edhe pse nuk kemi krijuar shumë raste siç tifozët tanë janë mësuar. Por Greqia është një kundërshtare e fortë dhe kemi qenë në dijeni që kemi të bëjmë me kundërshtar të fortë. Me një gjysmë rasti pësuam gol. Kemi çaluar të krijojmë aksione, por nuk kemi kohë për të qenë të dëshpëruar pasi kemi ndeshjen tjetër. Besoj se pasi kemi humbur këtë ndeshje është dy herë më e rëndësishme ajo që vjen. Shpresoj të korrim fitoren me Irlandën Veriore”, ka thënë Muriqi.

Ka pasur pakënaqësi të shprehura edhe në fushë nga lojtarët e Kosovës ndaj lojtarëve të tjerë. Ka dyshime se atmosfera brenda grupit nuk është ajo që duhet të jetë në një përfaqësuese që synon kampanjë të suksesshme.

Në fund të një edicioni të gjatë disa lojtarë të Kosovës, si edhe të përfaqësueseve të tjera, i kanë mendtë te pushimet. Dhe kjo mund të ndikojë në lëshimin e një tjetër rasti të madh për kualifikim në Evropian, pas atij për “Euro 2020”.

Kosova pritet të ketë përkrahje edhe të enjten ndaj Irlandës së Veriut. Shpresat janë për një fitore, para udhëtimit të vështirë në Greqi. Grekët presin që stadiumi të jetë i mbushur me shikues në ndeshjen e së dielës ndaj Kosovës. Fitorja në Prishtinë i ka trimëruar ata për ta kërkuar herët vendin e parë në grup. Te “Dardanët” shpresa është tjetër që lojtarët ta kalojnë momentin e vështirë dhe me dy rezultate pozitive ta shtyjnë për në shtator garën për të parin në grup.