Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çeferin paralajmëron vazhdim të shpejtë të futbollit

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka siguruar që futbolli i mirë dhe i zakonshëm do të kthehet së shpejti. Por sipas tij për kthimin nuk vendos komuniteti i sportit, por politikanët.

UEFA përkrah vazhdimin e edicionit, por vende si Holanda dhe Franca tashmë kanë ndërprerë edicionet aktuale.

Çeferin beson se futbolli do të ndryshojë vetëm për një periudhë të shkurtër, kur të kthehet, por pranon se vendimi final nuk është në dorën e tij.

“Njerëzimi do të mposhtë koronavirusin”, ka thënë Çeferin, përcjell Football-Italia.

“Ne kemi parë se sa sensitive dhe e prekshme është bota jonë. Një situatë si kjo ia ka dalë të destabilizojë plotësisht atë. Futbolli krijon energji pozitive dhe deri në rikthimin e futbollit njerëzit nuk do të kenë përceptimin se situata është normale”, ka shtuar i pari i UEFA-s.

Ai ka thënë se “futbolli do të ndryshojë, por vetëm për një periudhë të shkurtër. Ai tashmë ka mbijetuar luftëra dhe epidemi në të kaluarën. Futbolli i mirë dhe i vjetër do të kthehet shpejtë. Ne duam të shohim ndeshjet e futbollit sa më shpejtë të jetë e mundur, por çdo gjë varet nga vendimet e autoriteteve shtetërore. Me respektimin e të gjitha kërkesave shëndetësore dhe pa praninë e shikuesve, ndeshjet mund të kthehen relativisht shpejtë. Por nuk është sporti që vendos, është politika”.