Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çeferini pret që të vazhdohen kampionatet në futboll

Foto: Reuters

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin pret që të rinisin kampionatet në futboll. Çeferin ka lënë të kuptohet se ndeshjet do të luhen pa shikues, si masë parandaluese për të mos u përhapur koronavirusi.

“Prioritet është shëndeti i tifozëve, lojtarëve dhe zyrtarëve të klubit dhe unë jam optimist se mund të rinisim në disa liga të caktuara në një të ardhme jo të largët. Është shumë e besueshme që ndeshjet do të organizohen pa shikues, por me rëndësi është që ato të zhvillohen. Në këto kohë të vështira, tifozët do të shohin ndeshjet nëpërmjet televizorit”, ka thënë Çeferin në një intervistë për “Corriere della Sera”. “Është e paevitueshme që në fillim të luajmë pa shikues. Tifozët duhet të shikojnë ndeshjet nëpërmjet televizorit dhe ky është opsion më i preferuar sesa të mos luhen ndeshjet. Do të jetë masë e përkohshme dhe në të ardhmen do të kemi stadiumet e mbushura”.

Ai ka thënë se është herët të anulohet stinori. 

“Është tepër herët të themi se nuk mund të përfundojmë stinorin. Ndikimi do të ishte shumë i madh. Duhet të respektojmë vendimet e autoriteteve dhe të presim derisa të jemi të gatshëm të luajmë. Ne jemi duke shqyrtuar disa opsione, gjithmonë bazuar në datat e rinisjes. Do të jetë e vështirë të kompletohet stinori në shtator apo tetor, do të rëndonte tepër në kalendarin e stinorit të ardhshëm”, ka thënë presidenti i UEFA-s. 

Çeferin po ashtu ka thënë se ende nuk ka një afat përfundimtar se kur do të rikthehen ndeshjet në kupat evropiane. Ai thotë se fillimisht duhet të përfundohen ligat. Në mediume është raportuar se Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës pritet të rinisë në gusht.

“Për momentin nuk ka një afat përfundimtar se kurrë do të përfundohet Liga e Kampionëve apo Liga e Evropës”.

Sa i përket ndeshjeve të përfaqësueseve, ai pret që ato të rinisin në shtator. Kosova gjendet në gjysmëfinale të plejofit për Kampionatin Evropian, ku pritet të luajë në Shkup kundër Maqedonisë së Veriut.

Edhe Edhe në Kosovë ndeshjet pritet të rinisin dhe të përfundojnë pa shikues Sport Edhe në Kosovë ndeshjet pritet të rinisin dhe të përfundojnë pa shikues

“Them se kjo do të ndodhë në shtator”, ka deklaruar Çeferin.

Ai po ashtu ka folur edhe për ndikimin ekonomik që kriza e koronavirusit do të ketë në futboll dhe për shtyrjen e mundshme të afatit kalimtar të verës.

“Ligat vendore ofrojnë bazë financiare për të gjitha klubet dhe ndikimi do të jetë më i butë nëse mbarohen garat. UEFA po ashtu do të vuajë financiarisht nga shtyrja e Evropianit”, ka shtuar slloveni. “Për momentin duhet të jemi më fleksibël sa i përket lojtarëve dhe klubeve dhe e shoh mundësinë e shtyrjes së afatit kalimtar të verës si opsion”.