Presidenti i Konfederatës së Futbollit Evropian (UEFA), Aleksander Çeferin, pret që disa kampionate në futboll të rifillojnë në një të ardhme jo të largët. Por Çeferin ka lënë të kuptohet se ndeshjet do të luhen pa shikues, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. E një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe në Kosovë. Ndeshjet pritet të zhvillohen pa praninë e shikuesve, kanë vlerësuar trajnerë dhe njohës të futbollit, derisa në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) është thënë se vendimet do të merren në koordinim me institucionet e vendit dhe me UEFA-n.
“Prioritet është shëndeti i tifozëve, i lojtarëve dhe i zyrtarëve të klubit, dhe unë jam optimist se mund të rinisim në disa liga të caktuara në një të ardhme jo të largët. Është shumë e besueshme që ndeshjet do të organizohen pa shikues, por me rëndësi është që ato të zhvillohen. Në këto kohë të vështira tifozët do t’i shohin ndeshjet nëpërmjet televizorit”, ka thënë Çeferin në një intervistë për “Corriere della Sera”.
Çeferin insiston se për të mirën e të gjithëve është që ndeshjet të luhen pa shikues.
“Është e paevitueshme që në fillim të luajmë pa shikues. Tifozët duhet t’i shikojnë ndeshjet nëpërmjet televizorit dhe ky është opsion më i preferuar sesa të mos luhen fare. Do të jetë masë e përkohshme dhe në të ardhmen do t’i kemi stadiumet e mbushura”, është shprehur Çeferin.
Kampionati në Kosovë është pezulluar më 13 mars dhe nuk është dhënë ndonjë datë se kur mund të rifillojë. Rritja e ndjeshme e të prekurve me koronavirus në Kosovë ka detyruar autoritetet e vendit të ndërmarrin masa edhe më të ashpra për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë vdekjeprurëse.
Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, përmes një konference për shtyp ditë më parë, pati njoftuar se masat e reja do të zgjasin deri më 4 maj. Në to parashikohet një kufizim i shtuar i lirisë së lëvizjes dhe jo më shumë se dy persona. Është njoftuar se masat mund të hiqen pjesërisht pas 4 majit, por jo edhe ndonjë datë kur mund të hiqen tërësisht. Me këtë kuptohet se kampionati mund të mos rifillojë as gjatë muajit maj. Deri të hënën pasdite në Kosovë janë shënuar 561 raste të infektuar me COVID-19, 102 të shëruar dhe 12 të vdekur.
Gazeta ka kërkuar një përgjigje edhe nga ministri Arben Vitia, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Të mërkurën UEFA mund të marrë vendime të tjera
Për të ardhmen e futbollit dhe mënyrën e rifillimit do të diskutohet gjatë videokonferencës që do ta mbajë UEFA të mërkurën me sekretarët e 55 federatave që janë anëtare të saj. Deri më tash janë zhvilluar dy videokonferenca të UEFA-s, ku edhe janë marrë disa vendime për shtyrje të ngjarjeve të mëdha të futbollit, në mesin e tyre edhe Evropiani, për vitin 2021. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se të gjitha vendimet do të koordinohen me institucionet e vendit dhe me UEFA-n.
“Të mërkurën do ta kemi diskutimin për të ardhmen e futbollit nëpërmjet videokonferencës. Deri atëherë nuk mund të themi asgjë. Do të dalim me një qëndrim dhe do t’i bëjmë publike në faqe të Federatës të gjitha vendimet që do të merren”, ka thënë Ademi.
Në fakt, për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit, të gjitha klubet kanë pezulluar edhe stërvitjet. Futbollistët vazhdojnë të stërviten individualisht nëpër shtëpitë e tyre apo në ndonjë hapësirë të improvizuar. Por është thënë se pasi të merret vendim për rinisje të edicionit, do t’u jepet hapësirë klubeve që të kenë në dispozicion të paktën dy javë për të zhvilluar përgatitjet.
Çeferin ka folur edhe për ndeshjet e përfaqësueseve. Ai pret që ato të rinisin në shtator. Kosova gjendet në gjysmëfinale të plejofit për Kampionatin Evropian, ku pritet të luajë në Shkup kundër Maqedonisë së Veriut.
“Them se kjo do të ndodhë në shtator”, ka deklaruar Çeferin...(gjerësisht në Kohën Ditore)