Bundesliga e Gjermanisë në futboll ka përcaktuar rrugën drejt rikthimit, ndërsa ndeshjet do të luhen prej 16 majit. Ky fakt e ka gëzuar edhe presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin.
Bundesliga është e para prej ligave të mëdha evropiane të futbollit që do të vazhdojë pas koronavirusit. Vendimi ka ngjallur entuziazëm te tifozët e futbollit, ndërsa atë e ka vlerësuar si shembull edhe Çeferin.
“Është lajm i jashtëzakonshëm që autoritetet gjermane janë pajtuar që Bundesliga të vazhdojë. Ky është një hap i madh dhe hap pozitiv për të kthyer optimizmin te njerëzit. Është rezultat i dialogut konstruktiv dhe i një planifikimi të kujdesshëm të autoriteteve të futbollit dhe politikanëve”, ka thënë Çeferin, raporton Kicker.
“Kam besim se Gjermania do të na japë të gjithëve një shembull të ndritshëm se si mund ta sjellim futbollin - me gjithë emocionin dhe paparashikueshmërinë e tij – në jetën tonë. I uroj të gjithë të përfshirët”, ka shtuar i pari i futbollit evropian.