Lorik Cana ka qenë i ftuari special në hedhjen e shortit për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Cana është edhe ‘’Ambasadori i Finales’’ që do të mbahet në Tiranë në garën më të re të UEFA-s, e treta sa i përket nivelit.
Ish-ylli shqiptar ka thënë se tifozët do të kënaqen në Shqipëri kur do të vijnë për ta përcjellur finalen e kësaj gare.
‘’Të gjithë fëmijët duan të arrin nivelet më të larta. Unë startova te PSG, pastaj në Marseille, në Galatasaray, e Lazio. Luajta në Ligën e Evropës. Janë arritje të mëdha. Rrugëtimi me Kombëtaren ka qenë definitivisht momenti më krenar i karrierës sime. Stadiumi në Tiranë, aty ku do të luhet finalja, është një lloj mesazhi që shtetet e Ballkanit po rriten. Stadiumi është i mrekullueshëm, është shumë modern. Është në mes të qytetit dhe njerëzit do të kënaqen kur do ta vizitojnë shtetin tonë’’, është shprehur Cana.