Gjashtë minuta pasi bëri debutimin e tij me Real Madridin, mesfushori i ri Eduardo Camavinga tashmë po festonte golin e tij të parë me fanellën e klubit spanjoll. Edhe më pak se kaq ishte dashur që ai të mahniste tifozët e Realit në stadiumin “Santiago Bernabeu” me një lëvizje me topin. Kështu që, brenda një kohe të shkurtër, 18-vjeçari Camavinga ka filluar të bëjë një përshtypje të mirë me paraqitjet e tij te Real Madridi. Pak nga pak, ai po shndërrohet në një titullar të rregullt në ekipin e Carlo Ancelottit, i cili të shtunën pret Villarrealin në kuadër të La Ligas.
“Ai ka gjithçka që i nevojitet për të luajtur për Real Madridin”, tha Ancelotti. “Ai është shumë i ri dhe nuk është nën presion për momentin, sepse kështu e ka personalitetin. Ai e ka freskinë që vjen me rininë”.
Camavinga ishte transferimi i vetëm i Real Madridit në afatin kalimtar të muajit të kaluar, duke arritur mes zhgënjimit të përpjekjes së dështuar të klubit për të sjellë shokun e tij te Franca, Kylian Mbappen nga Paris Saint-Germaini. Camavinga iu bashkua Realit nga Rennesi dhe firmosi kontratë gjashtëvjeçare.
I riu dinamik u fut nga banka e rezervistëve në minutën e 66-të të fitores 5:2 të Realit ndaj Celta Vigos në ligën spanjolle më 12 shtator, duke gjetur rrjetën disa çaste më vonë dhe duke bërë përshtypje me lojën e tij agresive në mesfushë. Ai gjithashtu u fut nga stoli në ndeshjen e ardhshme të Madridit, duke asistuar në golin e fitores të shënuar nga Rodrygo në minutën e 89-të ndaj Interit në Ligën e Kampionëve me një pasim të bukur brenda zonës. Camavinga luajti përsëri si rezervist në fitoren 2:1 të ekipit ndaj Valencias në ligën spanjolle, dhe ishte titullar në ndeshjen që Reali e fitoi 6:1 kundër Mallorcas të mërkurën mbrëma. Qëllimi i klubit ka qenë që gradualisht ta shtojë atë në skuadër, por ai ka treguar se nuk i duhet shumë kohë për t’u përshtatur. Shkathtësia e Camavingas i ka dhënë atij një avantazh në një mesfushë të mbushur me veteranë si Toni Kroos, Luka Modriq dhe Casemiro. Konkurrenti i tij kryesor për një vend titullari duket të jetë Fede Valverde, një tjetër lojtar i ri në moshën 23-vjeçare.
“Pozicioni i Camavinga në fushë është diçka që kam diskutuar me të”, zbuloi Ancelotti. “Ai ka luajtur gjithmonë si mesfushor, por ka cilësi. Ai është shumë i shpejtë me top. Ai është një mesfushor i plotë”.
Ancelotti tha se klubi është në një pozitë të mirë me Camavingan kur luan në mesfushë. Sipas tij, Reali e ka të sigurt të ardhmen në këtë pozicion, falë Camavingas.
Edhe
Camavinga dëshiron të jetë titullar
“E ardhmja e Real Madridit do të jetë e sigurt me këtë lojtar”, tha trajneri. “Dhe është e sigurt tani edhe me Modriqin, Kroos dhe Casemiro. Mesfusha është shumë e fortë në të gjitha aspektet”.
Madridi do të përballet me Villarrealin, që në këtë duel futet pas fitores së parë këtë edicion që e arriti pas gjashtë barazimeve rresht në të gjitha garat. Skuadra e trajnerit Unai Emery mposhti Elchen 4:1 në xhiron e fundit, për ta shijuar triumfin e parë në sezonin e ri.
Aktualisht, Real Madridi është lider në La Liga pas gjashtë xhirove. Ka tubuar 16 pikë, dy më shumë se kampioni në fuqi, Atletico Madridi që e viziton të shtunën Alavesin, që renditet i fundit në tabelë. Alavesi është një nga dy skuadrat që nuk kanë fituar pikë këtë sezon në La Liga së bashku me Getafen.