Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Real Madridi prezanton Camavingan

Real Madridi e ka prezantuar 18-vjeçarin Eduardo Camavinga, të mërkurën. Mesfushori francez, ka thënë se për të është kënaqësi të veshë fanellën e Realit si dhe ëndërr e realizuar.

“Unë erdha këtu për të mësuar. Pastaj, do të më duhet t’i tregoj trajnerit se jam gati të luajë, të punoj shumë dhe të përpiqem të luaj sa më shumë minuta që të jetë e mundur. Faktori i parë për të nënshkruar me Real Madridin ishte kënaqësia të luaj për këtë klub dhe të përmbush ëndrrën time. Është kënaqësi të luash me lojtarë kaq të mëdhenj që do të më mësojnë shumë. Karim Benzema është një idhull për francezët. Ai është shumë i mirë me lojtarët e rinj siç mund ta shohim si për shembull me Vinicius Jr. Ai do të më ndihmojë sepse është francez”, tha Camavinga.

Camavinga mund të debutojë të dielën kundër Celta Vigos. Francezi u transferua te Reali në ditën e fundit të afatit kalimtar nga skuadra franceze Rennes. Ai nënshkroi kontratë deri në vitin 2027 dhe i kushtoi klubit spanjoll 31 milionë euro.